Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje studentëve: Jemi buzë gremine, ju ftoj të bëni gjithçka për suksesin e protestës së pedagogëve


Në një takim me studentë, kreu i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje atyre të bëjnë gjithçka që protesta e pedagogëve të tyre të ketë sukses.

Berisha tha se situata në universitete është “buzë gremine” dhe qeveria protestës së pedagogëve po u përgjigjet me arrogancë.

“Ministrja e tij shkon bën 15 rrugë nga 15 mijë euro për mbledhje partie në Peshkopi. Ministrja e tij nuk na shkon dot me makinë, por shkon me helikopter. A mund të pranoni ju që një pedagogu juaji të marrë 4 herë më pak se shoferi i fondit shqiptar i zhvillimit, të marrë sa të marrin punonjësit e fasenorisë. Pse do rrinë atëherë këtu?

Ne jemi buzë gremine me këto qëndrime që mban kjo qeveri ndaj universiteteve. Qëndrimi ndaj jush është qëndrimi ndaj të ardhmes, ikja juaj është ikja e të ardhmes, është shpërbërje kombëtare. Unë ju ftoj ju të bëni gjithçka për suksesin e kësaj proteste.

Dua t’ju bëj një këshillë: Punoni me çdo të ri, të re që njihni, socialist, pa parti, kushdo qoftë. Unë admiroj këtë grevë të tyre, sepse kjo grevë, siç e shihni, është me të vërtetë pluripartiake dhe aty flasin njerëz të bindjeve të ndryshme dhe flasin njerëz të përgjegjshëm që duan të shpëtojnë universitetet. Çdo ditë i sulmon me një egërsi dhe mungesë të plotë edukate. Çdo ditë flet për hiena dhe stërhiena një njeri me probleme të rënda psiqike. Në një kohë kur ata po luftojnë për një qëllim të madh. Ajo që kërkojnë ata për rrogat, 100 eurot për ju janë gjëja më minimale. Merreni me mend pse duhet të marrë një pedagog i UT 600 euro dhe një pedagog i Prishtinës 1200 euro? Ka Kosova buxhet më të madh se Shqipëria? Jo, Shqipëria e ka më të madh buxhetin. Por kryeministri i Kosovës nuk udhëton me avion-taksi, ministrat nuk udhëtojnë me helikopter-taksi, nuk blejnë instalacioni druri 4 mln euro, nuk krijojnë ndërmarrje fantazmë të vetat për 420 mln euro djegësa. Pra, këtu janë të gjitha, kërkesat e tyre janë absolutisht të drejta dhe të plotësueshme. 40% rroga nuk është asgjë tjetër veçse indeksimi me inflacionin e 8 viteve. Dhe kur ta rrisë 40% ata do të marrin de facto sa kanë marrë në vitin 2013 në raport me fuqinë blerëse.”- tha Berisha.