Një person është arrestuar në Shkodër lidhur me shtënat me armë mbrëmjen e djeshme në qytetin veriperëndimor. Në pranga ka rënë David Kiri, ndërsa në kërkim janë shpallur Ardian Kiri e Kristian Fermosi.
Sipas policisë, përplasja mes dy vëllezërve e Fermosit ka nisur pas një debate. Gjatë debatit, mes Ardian Kirit e Kristian Fermosit, ka mbërritur David Kiri i cili dyshohet se ka goditur me makinë Fermosin.
Ky i fundit ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe ka gjuajtur ndaj mjetit e dy vëllezërve të cilët kanë mundur t’u shpëtojë plumbave.
Ardian Kiri ka qenë më herët drejtor i ALUIZNI-t në Shkodër, ndërsa ka qenë i akuzuar për vrasjen e Marjan Martinit dhe përpjekjes për vrasje të Nik Gjonlulaj e djalit të tij Amarildo Gjonlulaj. Gjykata e Shkallës së Parë e dënoni asokohe për ‘armëmbajtje pa leje’ me 5 vite burg po Apeli e la të lirë.
Si u lirua Ardian Kiri
Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur në 19 qershor 2017 të lerë të lirë Ardian Kirin, ish-drejtorin e ALUIZNI-t në Shkodër, i akuzuar nga prokuroria e këtij rrethi për akuzën e “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”,e kryer në bashkëpunim,“Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.
Ndryshe nga sa kishte kërkuar prokuroria e Apelit Shkodër për dënimin e Kirit me 30 vite burgim, për vrasjen e shtetasit Marjan Martini dhe tentativës për vrasje të Nik Gjonlulaj dhe djalit të tij Amarildo Gjonlulaj, gjykata e ka dënuar Kirin vetëm për akuzën e “Armë mbajtjes pa lejë” me 5 vite burgim. Por dhe nga ky dënim, ish-drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër i akuzuar për vrasje nuk bëri asnjë ditë burg pasi Apeli e la në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare.
Të vetmit që janë dënuar për këtë vrasje nga gjykata e Apelit janë shtetasit Lazër Pemaj me 26 vite burgim dhe Gjin Ndreu.
Kush është Ardian Kiri?
Ardian Kiri njihet si një eksponent i Partisë Socialiste në Shkodër dhe që ka pasur miqësi të ngushtë me deputetin Tom Doshi. Madje Kiri ka qenë dhe dëshmitar së bashku me të pandehurin tjetër të kësaj dosje Gjin Ndreun, të cilët përmenden në një relacion policie përcjellë prokurorisë së Tiranës, për ngritjen e çështjes kundët Tom Doshit, lidhur me demostratën e 21 janarit në kryeqytet. Por përtej dosjes së “21 janarit”, me ardhjen në pushtet të PS në 2013, Ardian Kiri është emëruar drejtor i ALUIZNI-t në Shkodër.
Gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë sipas prokurorisë dhe policisë Shkodër rezulton se ai është implikuar në një ngjarje të rëndë në Shkodër. Më konkretisht në datën 23 nëntor 2013, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur Gur i Zi, Shkodër, i pandehuri Ardian Kiri, Lazër Pemaj dhe Gjin Ndreu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë disa herë, kundër shtetasit Nik Gjonlulaj, i cili po lëvizte me makinën tip Mercedes-Benz, me targë AA390GD, bashkë me djalin e tij Amarildo Gjonlulaj, me drejtim lëvizje nga Shkodra në drejtim të komunës Gur i Zi.
Si pasojë e breshërisë së plumbave të gjuajtura nga të pandehurit, ka vdekur shtetasi Marjan Martini,i cili po lëvizte me motorçikletë në këtë aks rrugor, pikërisht në pjesën e urës në vijim të këtij segmenti rrugor, në momentin që të pandehurit po qëllonin me armë kundër shtetasit Nik Gjonlulaj,i cili po ashtu ishte në lëvizje me mjetin e tij. Ngjarja në fjalë u provua se ka ndodhur pas një debati të ashpër që i pandehuri Ardian Kiri, i shoqëruar dhe nga dy të pandehurit Gjin Ndreu dhe Lazër Pemaj, ka pasur me të dëmtuarin Nik Gjonlulaj ditën në fjalë, në një lokal në Beltojë, ku të gjithë personat kanë qenë duke qëndruar bashkë për drekë.