Vendosni fjalën kyçe....

“Hajde merr fëmijët sa më shpejt” – Banori në Porto Romano tregon telefonatën me mësuesen, rrjedhja në cisternën e gazit afër shkollës


 

Ditën e sotme janë raportuar disa rrjedhje të gazit natyror në cisternat e gazit në zonën e Porto Romanos në qytetin e Durrësit.

Një banor ka treguar për “News 24” se vendi ku ka ndodhur një nga rrjedhjet e gazit është shumë pranë një shkolle 9-vjeçare.

Ai tregoi se një mësuese e mori në telefon duke i kërkuar të nxitonte të merrte fëmijët sa më shpejt nga shkolla.

“Sot ka plas një cisternë. Me sy të lirë shihet si rrjedh gazi, si shatërvan.

Është 300 metra nga banesa ime. Sidomos aty ku është rrjedhja është shumë afër shkollës 9 vjeçare, as 30 metra. Ishim në punë kur ndodhi, më mori në telefon mësuesja e fëmijëve e më tha hajde sa më shpejt të marrësh fëmijët se ka rrjedhje gazi. Imagjinoni të kesh fëmijën pranë një rrjedhje gazi të tillë, si një bombë atomike.

Kjo nuk është hera e parë, e tretë apo e katërt që ka shpërthime të mëdha. Se kështu erë gazi ka gjithmonë…, ka të paktën 3 muaj që ndodh kjo situatë. Kemi protestuar por puna ka vijuar rregullisht, ka qenë fati ynë që nuk ka pasur një shkëndijë flake se aty do ishte bërë një katastrofë e paparë.”- tha banori.

Banorët e kësaj zone janë në alarm dhe i tremben rrezikut të mundshëm nga rrjedhjet, mbi të gjitha sepse incidente të tilla janë bërë shumë të shpeshta kohët e fundit.

Sot mësimi në shkollën “Met Hasa” pranë zonës së rrezikuar është ndërprerë.