Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka prezantuar vendimet e marra sot nga qeveria.
Sipas ministres, me buxhetin e vitit 2023 do të mbështeten nënat e papuna me tre a më shumë fëmijë dhe me të ardhura familjare mujore deri në 100 mijë lekë.
Po ashtu ajo tha se këtyre nënave do t’u njihen si vite pune dhe se skema do të prezantohet shumë shpejt.
“Sot qeveri shqiptare miratuar një shtesë në një pr ligj që është ligji për sigurimin e detyrueshëm të sigurimit shëndetësor, ku qëllimi i akteve është mbështetja e grave që kanë më shumë se tre fëmijë dhe janë të papuna, ku situata e tyre ekonomike është e tillë që kanë nevoje për mbështetjen e shtetit. Ne kemi vendosur që me buxhetin 2023 të mbështesim këtë kategori nënash. Do të kemi një kategorizim që besojmë se është i rëndësishëm për t’u ndarë me publikun, janë ato gra që kanë 3 ose më shumë fëmijë, ku njëri është deri në 5 vjeç dhe kur të ardhurat mujore nuk i kalojnë 100 mijë lekë. Kjo do të mundësohet me buxhetin e 2023, njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore duke i mbështetur për 5 vitet e rritjes së fëmijës.
Për vitin e parë kjo mbështetje buxhetore për gratë e papuna me tre fëmijë dhe më shumë me të ardhura deri në 100 mijë lekë të mbështetet nga shteti me një skemë që do të prezantohet shumë shpejt.”– tha Manastirliu.
Po ashtu ministrja Manastirliu foli edhe për vaksinimin kundër Covid-19, por njoftoi gjithashtu se duke nisur nga nesër, nis dhe vaksinimi kundër gripit.
“Kemi bërë të mundur të sigurojmë sigurimin me vaksina. Kemi marrëveshje me Pfizer për të siguruar që dozat që i kemi parablerë që pas ardhjes së furnizimit të parë kemi një riskedulim që një pjesë do jenë vaksina përforcuese sipas varianteve të reja.
Periudha e dimrit veç parashikimit për rritjen e rasteve që mund të infektohen për të cilat duhet vaksinimi e doza përforcuese, kemi edhe kombinim të vaksinave, gripit dhe booster që pritet të vijë në nëntor.
Dua t’iu informoj se transhi i parë i vaksinave të gripit ka mbërritur dhe që nesër, sa i takon kategorisë së qytetarëve që janë mbi 65 vjeç, atyre me sëmundje kronike dhe grave shtatzënë fillojmë vaksinimin kundër gripit.”- tha ministrja.