Vladimir Putin ka mbikëqyrur sot stërvitjet vjetore të forcave strategjike bërthamore të Rusisë në një kohë të tensioneve të rritura me Perëndimin për luftën e tij 8-mujore në Ukrainë.
Siç shkruan BBC, Kremlini bëri me dije se raketat balistike dhe ato të lundrimit u lëshuan në Lindjen e Largët dhe në Arktik.
SHBA u njoftua për stërvitjen sipas kushteve të traktatit të armëve “New Start”.
Nisjet e raketave u bënë pasi Rusia bën pretendime se Ukraina po planifikon të përdorë një “bombë të pistë” kundër saj.
Bëhet fjalë për një mjet shpërthyes të përzier me material radioaktiv dhe pretendimet ruse janë hedhur poshtë gjerësisht nga vendet perëndimore si të rreme. Kievi nga ana tjetër ka paralajmëruar se pretendimet ruse tregojnë se vetë Moska mund të jetë duke përgatitur një sulm të tillë.
Përpara stërvitjes, zyrtarët ushtarakë në Uashington vunë në dukje se, duke njoftuar SHBA-në, rusët ishin në përputhje me detyrimet e kontrollit të armëve.
NATO po organizon gjithashtu stërvitjet e veta bërthamore, në Evropën veriperëndimore. Aleanca mbrojtëse perëndimore tha se fluturimet stërvitore që përfshinin 14 vende do zhvilloheshin deri të dielën mbi Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Detin e Veriut.
Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu u pa në TV rus duke thënë se qëllimi i stërvitjes ishte që komanda dhe kontrolli ushtarak të praktikonte kryerjen e “një sulmi masiv bërthamor nga forcat bërthamore strategjike në hakmarrje për sulmin bërthamor të armikut”.
Presidenti Putin u shfaq në TV rus duke parë një video të lëshimit të raketave. Ai përsëriti akuza të tjera të bëra nga Rusia në muajt e fundit kundër Ukrainës, duke përfshirë se ajo ishte kthyer nga SHBA në një “vend testimi për eksperimente biologjike ushtarake”.