Vendosni fjalën kyçe....

Pranga 32-vjeçarit në Durrës, i kapet heroinë e kokainë


Një 32-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi akuzohet për shitje lëndësh narkotike.

Në pranga ka përfunduar Sajmir Zotkaj, banues në Durrës, në mjetin e të cilit efektivët kanë gjetur doza heroine e kokaine gati për shitje.

Pas kontrollit në banesën e  të riut, policia ka gjetur 92 gramë e dyshuar heroinë e 170 gramë e dyshuar kokainë, një peshore elektronike si dhe 800 euro që dyshohet se janë fituar përmes shitjes së drogës.

Njoftimi

“Finalizohet nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës, operacioni policor i koduar “October”. Evidentohet dhe goditet një rast i veprimtarive kriminale të prodhimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike. Vihet në pranga 32-vjeçari, i cili mbante doza heroine dhe kokaine, në automjet dhe sasi të tjera të këtyre lëndëve narkotike, në banesë. Shërbimet e Policisë së Durrësit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus evidentimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “October”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-S. Z., 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.  Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 32-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje në lokalet e qytetit. Në vijim të operacionit “October”, u ushtrua kontroll edhe në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan  92 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 170 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, automjeti që drejtonte i arrestuari, si dhe 800 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”