Në konferencën e sotme të përbashkët për mediet, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mohuar lajmin se i ka propozuar kreut të Partisë Demokratike Sali Berishës, emrin e vet si kandidat për kryetarin e Këshillit Bashkiak.
“Se çfarë del nga korridoret e Fugës nuk është përgjegjësi e jona. Por koha e bunker bashkive ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Kanë falimentuar shumica e bashkive që kishin 100% të bashkive dhe këshillave bashkiake.
Tani ka ardhur koha, që nëna Liza e lënë rrugëve, e keqtrajtuar, ka ardhur koha që këta qytetarë jo vetëm të mos guxojë ti dhunojë të drejtat e tyre, por të kenë foltoren e tyre në këshillat bashkiake. Kjo është e vetmja rrugë që ta kuptojnë rëndësinë e votës së tyre. Këshillat bashkiake nuk janë për noterizim, por janë për të mbrojtur interesin e qytetarëve. Sa i takon emrave, që i keni merak, nuk do të ketë persona hije, as të qeverisë dhe as të kryetarit të bashkisë. Do të jenë garant të llogaridhënies dhe kemi shumë emra të sprovuar në mbrojtje të interesit publike.”- tha Meta.
Gazetarët i pyetën të dy, Metën dhe Berishën mbi deklaratën e Belind Këlliçit që shprehu ambicien për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.
Të dy u përgjigjën se nuk ka rëndësi emri, por procesi i primareve që do të vendosë kush kandidon.
“Për ne s’ka rëndësi asnjë emër për asnjë lloj funksioni sepse marrëveshja është e qartë. Për ne procesi duhet të jetë transparent, do respektojmë çdo zgjedhje të primareve, do zgjedhë kandidatët më të mirë, pavarësisht se shohim se njëri janë më i mirë se tjetri.”- tha Meta.
Ndërsa Berisha u përgjigj: “Kandidati për Tiranën do të dalë nga primarët. Ky koalicion mbështet primaret, përgëzoj të gjithë ata të cilët vendosin të provohen në një garë të pashembullt ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Këlliçi ka shprehur dëshirën është njëri nga ata që ka shprehur dëshirë, e përgëzoj plotësisht.”
Një pyetje që iu drejtua Berishës ishte se si po shkojnë bisedimet me grupin e PD-së, dhe sa është numri i bashkive që synojnë të fitojnë në 14 Maj. Ai theksoi se bisedimet diktohen nga statuti.
“Këtu përfaqësohen dy forca politike të ndryshme, me statute të ndryshme, me platformat dhe alternativat e tyre. Bisedimet kanë sjellë edhe njëherë e them, një marrëveshje historike për misionin q ë do të përmbushë.
Bisedimet që zhvillohen brenda PD janë bisedime që diktohen nga statuti i PD-së, janë bisedime mes anëtarëve të PD, të cilët pavarësisht nga mendimet gëzojnë të drejta të njëjta statutore. Janë krejt të ndryshme. PD edhe në statut edhe po të mos e kishte në statut ka nenin e fraksioneve, ku çdo forcë është e detyruar të tolerojë debatin dhe kundërshtitë, por një parti që vendos fraksionin në statut është dy herë e detyruar.”– theksoi ai.