Vendosni fjalën kyçe....

“Vizita juaj në Tiranë e veçantë”- Bajram Begaj pret në takim presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen


Kreu i shtetit Bajram Begaj ka pritur në takim presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e cila ndodhet për një vizitë në Shqipëri.

“Niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në pas çeljes së negociatave dhe vendosmëria e vendit tim për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, e bëjnë vizitën tuaj në Tiranë të veçantë dhe të rëndësishme”- iu drejtua Begaj presidentes së KE-së në këtë takim, sipas një njoftimi nga zyra e tij e shtypit.

Presidenti i Republikës shtoi se kjo vizitë “jo vetëm konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes nesh, por është edhe një mesazh inkurajimi dhe mbështetje e madhe për Shqipërinë në këto momente kërcënimesh e sfidash për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.   

Kryetari i Shtetit shqiptar e siguroi Presidenten e Komisionit Evropian se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe se objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm. Raporti i Progresit për Shqipërinë është një udhërrëfyes i paanshëm dhe i nxit të gjitha institucionet shqiptare të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse. 

Nga ana e saj zonja Ursula von der Leyen vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe evidentoi progresin e rëndësishëm që Shqipëria po bën në rrugën e saj të integrimit evropian. 

Begaj duke u ndalur në projektet konkrete të bashkëpunimit, tha se investimet domethënëse në sektorët kyç të ekonomisë si infrastruktura dhe energjia “garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe rajonit duke ndihmuar në arritjen e standardeve për një anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”.   

“Paketa e mbështetjes energjitike dhe investimet në infrastrukturë mbështetur nga Komisioni Evropian i hapin rrugë ndërlidhjes më të mirë të Shqipërisë me vendet e rajonit si dhe e përafrojnë atë me standardet më të mira të BE-së. Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave themelore të BE-së dhe integrimi në familjen evropiane është objektivi i saj më i madh strategjik.”– sipas presidentit.   

Presidenti Begaj nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së vëmendjes së BE-së dhe vendeve anëtare ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar vendimin më të fundit të marrë nga Presidenti i Këshillit Evropian për zhvillimin së afërmi në Tiranë, të takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.   

Kjo vizitë e Von der Leyen në Shqipëri vjen në kuadrin e një turi rajonal në gjithë Ballkanin Perëndimor.