Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Madhe do i bashkohet skemës ushtarake të BE-së – The Times


Mbretëria e Bashkuar është gati të rihyjë në projektin e ‘lëvizshmërisë ushtarake’ të BE-së, i cili synon të rrisë shpejtësinë e lëvizjeve ushtarake në Evropë, veçanërisht në rast lufte, tha për mediat britanike ministrja holandeze e Mbrojtjes Kajsa Ollongren.

Duke folur për The Times, Ollongren zbuloi se ministrat në bllok pritet të miratojnë kthimin e Britanisë në projektin, të cilin e la pas Brexit, që në fillim të muajit të ardhshëm. Nisma e udhëhequr nga Holanda synon të thjeshtojë procedurat e transportit ushtarak ndërkufitar dhe të shkurtojë burokracinë, gjë që do t’u lejonte pjesëmarrësve të dërgojnë personel dhe pajisje në vijën e parë më shpejt nëse lind nevoja.

Sipas ministres së Mbrojtjes, planet për ripranimin e Mbretërisë së Bashkuar në grup janë ‘shumë të lidhura me luftën në Ukrainë’. Megjithatë, ajo vuri në dukje se çështja e anëtarësimit britanik ka qenë problem që kur Mbretëria e Bashkuar u largua zyrtarisht nga BE në vitin 2020.

Ollongren shtoi se është ‘e lumtur’ që Britania e Madhe do bashkohet për shkak të rolit që po luan vendi në drejtim të mbështetjes perëndimore për Ukrainën, teksa Kievi mbetet i bllokuar në konflikt me Rusinë.

Në të kaluarën, projekti përfshinte vetëm shtetet e BE-së, por vitin e kaluar atij iu bashkuan Kanadaja, SHBA-ja dhe Norvegjia. Oferta e Mbretërisë së Bashkuar për të hyrë në nismë u miratua nga Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së javën e kaluar dhe vendimi pritet të zyrtarizohet në mes të nëntorit.

Britania e Madhe drejton një nga grupet luftarake të NATO-s në Estoni, me një total prej rreth 1,500 trupash britanike të dislokuara në vend. Megjithatë, muajin e kaluar, The Times raportoi se Londra planifikon të përgjysmojë numrin e anëtarëve të shërbimit të stacionuar në vendin baltik, me një burim që i tha gazetës se ‘shumë kombe evropiane’ mendojnë se Ushtria Britanike e ka tejkaluar veten me angazhimin e saj të sigurisë.