Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i sindikatës së pedagogëve: Nëse qeveria nuk reagon, futemi në grevë urie


Kreu i sindikatës së arsimit të lartë ka paralajmëruar se pedagogët mund të futen në grevë urie.

Në një deklaratë të bërë sot, në javën e dytë të protestës, kreu i sindikatës Sandër Kovaçi tha se pedagogë kërkojnë urë komunikimi me qeverinë për zgjidhjen e kërkesave të tyre, po nëse kjo nuk do ndodhë, atëherë mund të shkohet te greva e urisë.

Pedagogët protestojnë çdo ditë që prej të hënës së 17 tetorit, që duhet të ishte dita e parë e vitit të ri akademik ndërsa i kanë parashtruar kërkesat e tyre për qeverinë prej disa javësh.

Ata kërkojnë trajtim dinjitoz financiar, të krahaueshëm me Malin e Zi dhe Kosovën, rritjen e financimeve për kërkimin shkencor, rritjen e financimeve për arsimin e lartë e kërkesa të tjera.

“Duke qenë në këto kushte kur nuk ka pasur reagim deri tani, erdhëm në fazën e një bojkoti të deritanishëm, dhe tani i kemi dërguar kërkesë qeverisë të krijojë urën e komunikimit. Nuk duam të përdorim variantin e fundit, atë të grevës së urisë, por mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij bojkoti. Bëjmë thirrje të gjithëve të jemi prezent për ndryshime në arsimin e lartë publik. Bëjmë thirrje që në procesin e rritjes së incentivave financiare të mos përjashtohen stafet akademike administrative. Kërkojmë që 30 % këtë të jetë edhe për stafin akademik. Kërkojmë që tarifat e studentëve të përdoren për studentët. Theksoj që kërkimi shkencor është thelbësor në Arsimin e Lartë. Është në gjendje alarmi. Pra nuk jemi të kalojmë në fazën e fundit të grevës së urisë, po është kërkesë e disa sindikalistëve, por nëse vërtet nuk do të ketë reagim mund të shkojmë edhe në këtë faze.” – u shpreh ai.