Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i PD-së Sali Berisha foli për protestën e thirrur më 12 nëntor.
“Se çfarë do jetë protesta e dinë mirë qytetarët e revoltuar dhe zemëruar. Por jam i bindur se temperaturën e zemërimit këto zbulime të reja e çojnë në shkallë të papërmbajtshme.”- tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse në protestë do të jenë edhe grupi i mbështetësve të Enkelejd Alibeajt se çdo deputet, anëtar dhe simpatizant është i ftuar.
“Çdo deputet, çdo anëtar dhe simpatizant i PD, është i ftuar- dhe në vlerësimin tim- i detyruar të marrë pjesë në protestën antiqeveritare, antiregjim absolutar të datës 12 nëntor.
I detyruar moralisht.
Ju e shihni rrokullimën e madhe, ju e patë se Shqipëria ka zbritur poshtë Vietnamit sa i përket shtetit ligjor. Vietnami është një shtet që drejtohet nga një parti komuniste, e megjithatë shteti ligjor është më i respektueshëm se në Shqipëri. Çka do të thotë se Vietnami ka një drejtësi më funksionale se drejtësia e kapur nga politika dhe korrupsioni në Shqipëri.
Si Vietnami dhe Shqipëria janë vende monopartiake, por i vetmi shkak pse Vietnami është para nesh, se Vietnami nuk pretendon që partia komuniste nuk kontrollon drejtësinë, por Edi Rama ushtron një kontroll të pamëshirshëm mbi drejtësinë.
Ju e patë, Eurobarometri i fundit, qytetarët shqiptarë hidhnin në kosh, reformën sorosiane, e cila shndërroi drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit.”-tha ai.
Berisha foli dhe për marrëveshjen me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. I pyetur nga gazetarët se çfarë ndikimi do të ketë brenda PD-së kjo marrëveshje, ai u përgjigj se do t’i japë fund monizmit.
“Marrëveshja e djeshme është historike. Është marrëveshja që do i japë fund monizmit, është marrëveshja që do nxjerrë nga bashkia njeriun që meriton çdo epitet, njeriu që e shndërroi Tiranën në qytetin me ajrin më të pistë në 10 vendet e fundit në botë. Ajri i ndotur do të thotë kancer, ajër kancerogjen.
Që krijoi në Tiranë me kullat e tij, zonat me dendësinë më maksimale të popullatës, që nuk i gjen në asnjë vend të Europës.
Që mashtron në çdo hap qytetarët shqiptarë.
Që i vodhi në mënyrë monstruoze. E shndërroi fushën e Sharrës në një minierë flirori për veten dhe Edi Ramën. Këto janë objektivat e marrëveshjes historike mes PD dhe PL.”– tha ish-kryeministri Berisha.