Sulmohet Paul Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
Incidenti ndodhi herët këtë të premte në shtëpinë e çiftit në San Francisko. Lajmi u konfirmua nga zyra e kryetares Pelosi në një deklaratë nga zëdhënësi Drew Hammill. Bashkëshorti i saj Paul thuhet se është nën kujdesin e mjekësve dhe pritet të shërohet plotësisht.
Sulmuesi është marrë në paraburgim.
“Herët këtë mëngjes, një sulmues hyri në rezidencën Pelosi në San Francisko dhe sulmoi dhunshëm zotin Pelosi. Sulmuesi ndodhet në paraburgim dhe po hetohet për motivin e sulmit. Z. Pelosi u dërgua në spital, ku po merr një kujdes të shkëlqyer mjekësor dhe pritet të shërohet plotësisht. Kryetarja nuk ishte në San Francisko në atë kohë.”– thuhet në deklaratë.
Më tej kryetarja Pelosi dhe familja e saj shprehin mirënjohje për mjekët dhe infermierët që i shërbyen të shoqit, ndërsa “kërkojnë privatësi në këtë moment.”