Nga Bujar Leskaj
Nesër Kuvendi në seancë plenare do të diskutojë për miratimin e Reformës Territoriale- Administrative në dy propozimet e paraqitura: atij të mazhorancës, sipas së cilit do të jenë përsëri 61 bashki dhe atij të Partisë Demokratike, e cila ka propozuar 94 (ose 97)bashki në të gjithë vendin.
Fjala “reformë” nuk do të thotë as “pazar” e as “qokë elektorale e radhës”.
Reforma Territoriale – Administrative, e cila do të miratohet nesër, është jo vetëm sfidë, por edhe mision, prandaj kërkon vizion, qasje strategjike, profesionalizëm dhe gjykim jopartiak në favor të popullit e për popullin!
Natyrisht që për një çështje kaq madhore dhe me rëndësi për vendin deputetët duhet të votojnë sipas ndërgjegjes dhe jo sipas urdhrit të shefit të partisë, pasi mandati i tyre është përcaktues dhe në shërbim të popullit dhe jo mandat detyrues për partinë!
Përse duhet që të gjithë deputetët të votojnë propozimin e Partisë Demokratike?
Propozimi i opozitës, për 94 (ose 97) bashki dhe duke respektuar parimet e autonomisë vendore, drejtpeshon konceptin e qeverisjes lokale dhe raportin e saj me qeverisjen qendrore, me komunitetin qytetar dhe me përgjegjësitë shtetërore për shërbime sociale, ekonomike, kulturore.
Bazohet në një strategji zhvillimi afatgjatë si dhe në praktikat e mira të qeverisjeve lokale, në vendet që kanë kaluar një tranzicionin të gjatë, njëlloj si vendi ynë.
Nga përvoja e katër takimeve me qytetarë në qarkun e Vlorës, të gjithë e kanë miratuar dhe mbështetur propozimin e Partisë Demokratike për të patur në qark edhe katër organizime të tjera në nivel bashkie dhe konkretisht, bashkinë e Orikumit, Amantias (Lumi i Vlorës), Ksamilit dhe Novoselës (Topallti).
Rikonceptimi i ndarjes territoriale, sipas propozimit të opozitës, do të sjellë zbatimin e mëtejshëm të reformës, bazuar në kritere si: kriteri i distancës minimale apo kriteri i popullsisë minimale, që sjell sinergji në realizimin e shërbimeve ndaj qytetarit.
Rikonfigurimi në 94 (ose 97) bashki do të sjellë respektimin e plotë të të gjitha aspekteve të decentralizimit dhe simetri demografike e ekonomike, jo vetëm mes bashkive të një rajoni, por edhe mes rajoneve të ndryshme të Shqipërisë.
Krijimi i 33 (ose 36) bashkive të reja, do të ndihmojë realisht zona dhe njësi administrative periferike, të cilat sot nuk marrin as fondet dhe as vëmendjen e duhur, si nga pushteti vendor, ashtu dhe nga bashkia ku janë nën juridiksion.
Të 94 (ose 97) bashkitë do të kenë mundësi reale që të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe të ushtrojnë kompetenca në diskrecion të plotë, siç parashikohet në Kartën Europiane të Autonomisë .
Propozimi i Partisë Demokratike është në përputhje me parimet e Kartës së Autonomisë Vendore, pasi siguron konsensusin e domosdoshëm politik e social, ofron planifikime realiste për të garantuar autonominë financiare dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarin.
Si i tillë, ai duhet miratuar dhe duhet votuar nga të gjithë deputetët e spektrit politik shqiptar!