Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogët paralajmërojnë grevë urie, kreu i sindikatës: Qeverisa ka afat deri në orën 16:00


Pedagogët kanë paralajmëruar sërish sot se janë gati të futen në grevë urie në rast se nuk do jetë një përgjigje pozitive nga qeveria për kërkesat e tyre.

Kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi tha se afati i fundit që pritet për plotësimin e kërkesave të tyre është pra 16:00 e ditës së sotme.

Pas kësaj, shtoi ai atëherë ditën e nesërme 10 pedagogë janë shprehur të gatshëm të hyjnë në grevë urie.

“Presim deri ditën e nesërme, për dy tre çështje kryesore që u kemi kërkuar, nuk janë përgjigjur pozitivisht. Do presim deri në orën katër përgjigjen e qeverisë, në grevë do të futen disa pedagogë, rreth 10. Është grevë simbolike. Greva do mbahet në një ambient të brendshëm të universitetit.” – tha Kovaçi.

Pedagogët në universitetet e vendit protestojnë prej më shumë se dy javësh duke bërë që mësimi të zhvillohet pjesërisht. Ata kërkojnë rritje të pagës duke u përafruar me trajtimin financiar të pedagogëve në Kosovë e Mal të Zi.

Ata kërkojnë gjithashtu rritje të financimit për arsimin e lartë e kërkimin shkencor. Deri tani oferta e vetme e qeverisë është rritje page me 8% e bërë nga kryeministri Rama në nisje të protestës. Që prej asaj kohe nuk ka asnjë takim apo negociatë mes palëve.