Deputeti i PD-së Alibeaj ka ironizuar Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij shkon e lyp par ate qeveria ndërkohë që është institucion që duhet ta kontrollojë atë.
Kërkesa u është bërë deputetëve nga Sekretati i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese Eugen Papandilo, teksa në Komisionin Ligjeve po diskutohej buxheti i institucionet për vitin 2023.
Ai tha se në buxhet duhet të parashikohen shpenzime shtesë për mbrojtjen kibernetike, parkimin e mjeteve si dhe mbrojtje kundër zjarrit.
Ndërsa Alibeaj u përgjigj duke thënë se Gjykata Kushtetuese duhet ta administrojë në mënyrë të pavarur buxhetin e saj, siç përcaktohet nga ligji duke theksuar se institucionet e pavarura nuk duhet të lypin lekë nga qeveria.
“Vjen Gjykata Kushtetuese dhe lyp para dhe ne bëjmë teatër këtu dhe japim para për qeranë e makinave apo ndonjë investim. Në ligjin e miratuar para 5-6 vitesh thuhet qartë që Gjykata Kushtetuese administron në mënyrë të pavarur buxhetin e saj, i cili hartohet prej saj dhe i paraqitet qeverisë. Kjo është një shkelje që ndodh sistematikisht në Kuvend. Institucionet e pavarura nuk duhet të lypin lekë të qeveria, sepse kontrollojnë qeverinë. Nuk është normale që Gjykata Kushtetuese të jetë përkrah qeverisë dhe t’i kërkojë mëshirë financiare. Gjykata Kushtetuese duhet ta ngrejë me forcë këtë çështje, sepse nuk ka mënyrë tjetër.” – tha Alibeaj.