Kryeministri Rama ka sulmuar edhe sot pedagogët duke thënë se grevë urie për rritje rroge bëjnë ata që nuk kanë fe, flamur, din e iman.
Gjatë përurimit të shkollës 9-vjeçare ‘Klodian Tanushi’ në Qesarakë, ai sulmoi kreun e sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, i cili sipas tij drejton një çetë brenda trupës së pedagogëve dhe i merr urdhrat nga foltorja.
“Para se te vija këtu isha me disa përfaqësues të një partie politike të Maqedonisë së Veriut të cilët më thanë se faturat u janë rritur katërfish, energjia, plus të tjera në Maqedoninë fqinje. Ndërkohë që sot në këto kushte të vështira, jo profesorët e pedagogët e universitetit, por një çetë brenda trupës që është shumë me madhe se sa aq për fat të mirë, një pakicë nën drejtimin e një SHIK-si i cili ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve, del me ultimatumin se nëse nuk iu rriten rrogat edhe më shumë se ç’iu rritën, do hyjnë në grevë uri. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe, njerëzit pa flamur, njerëzit pa fe, njerëzit pa din e iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica dërmuese i kanë të ardhurat më pak sesa SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës, por nuk bëjnë grevë urie. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë përmes të cilit luftohet për të drejta shumë themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pikërisht pedagogët e universitetit.” – tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se rritje rroge me 15% nuk patur mësuesit, që kanë punë shumë më të vështirë se pedagogët ndërsa tha se po të kishte qenë për autonominë universitare, të gjithë pedagogët që kanë deklaruar se nuk vlen të jesh i tillë, nuk do ishin më në detyrë.
“Nuk iu është rritur rroga 15% mësueseve që janë këtu bashkë me këta fëmijë edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se shumë ndër ata të cilët mbajnë emrin e pedagogut dhe kanë edhe paturpësinë të dalin edhe nëpër media e të thonë ‘nuk ia vlen të jesh pedagog në Shqipëri’. Si mundet një misionar i arsimimit të gjeneratës së re te deklarohet publikisht se nuk ia vlen? Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri sepse normalisht dikush që thotë se nuk ia vlen të jesh pedagog, nuk mund të jetë më pedagog, por është autonomia, nuk është e drejta dhe mundësia jonë që t’i tregojmë vendin këtyre lloje personazheve që ç’edukojnë rininë tonë. Ashtu sikundër edhe një herë e përsëris, shumica e pedagogëve nuk janë këta dhe s’kanë se si të jenë këta, se nëse do ishin këta, atëherë do ishim vërtetë në alarm, në një alarm shumë më të madh sesa inflacioni i luftës, në një alarm shumë më të madh se sa kriza globale e çmimit të energjisë, por fatmirësisht nuk janë këta shumica dhe më vjen keq që u detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali i cili pagën e kishte më të ulët sesa SHIK-si që do të futet në grevë urie për t’i shërbyer atyre të cilët i shërbejnë rublave ruse dhe jo atdheut, por dha jetën.” – shtoi Rama.
Pedagogët që protestojnë kanë njoftuar ditët e fundit se qeveria ka kohë deri sot në orën 16:00 për t’u dhënë zgjidhje kërkesave të tyre, në të kundërt një pjesë e tyre do futen në grevë urie. Ata protestojnë prej disa javësh duke bërë që viti i ri akademik të nisë pjesërisht në universitetet e vendit.
Pedagogët kërkojnë rritje rroge për t’u përafruar me kolegët e tyre në Kosovë e Mal të Zi, rritje të financimit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Deri tani nuk ka asnjë takim a bisedim mes palëve për kërkesat e tyre. Oferta e vetme e qeverisë deri tani është ajo për rritje rroge me 7% e bërë në ditët e para të protestës.