Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD po zhvillon një konferencë me gazetarët në lidhje me primaret.
Në këtë konferencë u diskutua mbi afatet dhe rregullat për regjistrimin e kandidatëve në primare, për qytetar të parë, apo kryetar bashkie.
Anëtari i KOKOE, Eno Bozdo tha se primaret këtë radhë do të kenë dy elementë të rëndësishëm që nuk i kishin primaret e para të 6 Marsit.
Këto janë vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD-së.
“KOKOE organizon procesin zgjedhor të primareve. Pra në rolin e një Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve.
Nuk kemi të bëjmë vetëm me votimin e anëtarësisë, por do votojnë edhe simpatizantët. Pasi të shpallet data e primareve me vendim të Kryesisë, KOKOE shpall në mënyrë automatike hapjen e procesit zgjedhor që i paraprim fushatës së kandidatëve dhe përfundon me datën e mbajtjes së primareve.
Kemi dy operacione që po ndodhin dhe KOKOE është përgjegjëse: regjistrimi i kandidatëve dhe fillimi i procesit në degët kryesore për regjistrimin e simpatizantëve.
Ne mendojmë se data e përshtatshme për të bërë përzgjedhjen e kadidatëve përfundimtare do të jetë 6-13 nëntor.
Këtu përcaktohen edhe dy gjëra të rëndësishme që nuk i kemi pasur në primaret e para më 6 mars: vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare që vlen për anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar ta ndjekin.”- tha Bozdo.