Vendosni fjalën kyçe....

Maria Zakharova: Moska i sheh përgatitjet ushtarake të Norvegjisë si kurs drejt përshkallëzimit të tensioneve në rajon


Rusia i percepton përgatitjet ushtarake të Norvegjisë pranë kufijve të saj si një kurs për përshkallëzimin e tensioneve në rajon.

Këtë qëndrim mbajti në një konferencë për mediet të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

“Bazat ushtarake të huaja në fakt u shfaqën në Norvegji në baza të përhershme. Infrastruktura përkatëse është modernizuar, pajisjet moderne po blihen dhe Oslo është tani ndër mbështetësit më aktivë të përfshirjes së NATO-s në Arktik.”– tha ajo sipas TASS.

Diplomatja vazhdoi: “Ne e konsiderojmë të tilla zhvillime pranë kufijve rusë si ndjekje e qëllimshme e Oslos për një kurs shkatërrues drejt përshkallëzimit të tensioneve në rajonin euro-arktik dhe shkatërrimit përfundimtar të marrëdhënieve ruso-norvegjeze”.

Zakharova shtoi se kjo nuk ishte zgjedhja e Moskës.

“Rusia është gjithmonë e hapur për dialog të ndershëm dhe të respektueshëm reciprok, por çdo veprim jomiqësor do të pasohet nga një përgjigje në kohë dhe adekuate.”– tha diplomatja.