Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO mbyll televizionin “RTV Ora”, avokatët: Vendim me prapavijë politike, do shkojmë në Strasburg


Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot për konfiskimin e pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi dhe për rrjedhojë edhe mbylljen e televizionit “RTV Ora”.

Por avokatët e pronarit të “Yldon Media Group” thonë se vendimi është me prapavijë politike.

Avokati Jordan Daci thotë se gjykata nuk i mori parasysh provat dhe nuk e shpjegon dot vendimin.

“Është e pashpjegueshme. Këto vendime fatkeqësisht të bëjnë të humbasësh besimin në sistemin e drejtësisë në mënyrë të pariparueshme. Nuk ka asnjë lloj logjike juridike, ligjore apo financiare. Mezi presim të lexojmë vendimin. Por unë nuk di çfarë do të shkruajë ajo gjyqtare pasi për mua nuk ka çfarë shkruan. Ajo më mirë të shkruajë desha unë siç deshi prokuroria ta marrë dhe po i marr dhe pikë pasi çdo gjë tjetër nuk do të ketë vlerë.”– tha Daci. Ai shtoi: “Ky është vendim që synon goditjen e medias.”

Avokati Besnik Muçi shtoi se vendimi ka prapavijë politike.

“Sa kohë që është një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin nuk ka arsye tjetër veç prapavijës politike. Qëllimi është mbyllja e një medie në Shqipëri që nuk pëlqehet nga politika. Kjo është arsyeja sa kohë që nuk gjejmë asnjë arsye që ky vendim të jetë mbështetur në ligj.”– tha ai. Muçi shtoi se me vendimin e sotëm RTV Ora është televizion i qeverisë, pasi i kalon në pronësi shtetit.

Në deklaratën para gazetarëve, avokati tjetër Enis Daci tha se çështjen do ta ndjekin deri në Strasburg: “Një betejë u humb sot. Ishte betejë fatkeqësisht e paracaktuar diktuar dhe orkestruar. Beteja tjetër do të jetë në Strasburg. Do të shohim çfarë do të thotë gjykata Ndërkombëtare për vendimin e sotëm.”