Vendosni fjalën kyçe....

Media britanike përsëri shkruan për emigrantët shqiptarë: Po rekrutohen nga bandat


Mediet britanike i kanë kushtuar përsëri sot vëmendje emigrantëve shqiptarë. Pas intervistës me kryeministrin Edi Rama i cili kritikonte Britaninë duke i kërkuar të mos fajësonte Shqipërinë për problemet e veta, BBC thotë se ka prova që bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore si një terren rekrutimi.

Ato e bëjnë këtë duke u ofruar pagesën e kalimit atyre që janë përgatitur për të punuar në industrinë e drogës në Mbretërinë e Bashkuar pas mbërritjes atje.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e pothuajse 40 mijë njerëzve që kanë mbërritur me varka të vogla deri më tani këtë vit, sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët e lartë të policisë dhe emigracionit në të dy anët e Kanalit janë të shqetësuar nga rritja e rolit të ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimeve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka akuzuar Britaninë e Madhe se po bën “kokë turku” shqiptarët për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.

BBC shkruan se ka parë sesi qytetet pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës kanë mbetur thuajse bosh dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt bregdetit francez.

Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët pushtuan një pjesë të kampit kryesor të emigrantëve atje.

Dhe hotelet e vegjël përreth stacionit, si Hotel Bretagne dhe Le Lion d’Or, janë kthyer tashmë në pika për emigrantët shqiptarë: me dyer të mbyllura, pa personel të dukshëm, një numër telefoni 24-orësh të fiksuar në xhami.

Këto janë disa nga vendet ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientët – duke vepruar si një lidhje kritike me kalimet e vogla të varkave të dominuara nga rrjetet irakano-kurde.

“Në Francë ka njerëz që të presin.”- më tha një shqiptar, pasi arriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël këtë verë. “Të gjithë në botë e dinë se ku të shkojnë, nëse doni të shkoni në Angli”.

BBC shkruan: “Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirk, ne dallojmë Kevin në dritaren e dhomës së tij të katit të dytë në Le Lion d’Or, teksa pi një cigare. Një ardhje e re nga Shqipëria, 20 vjeç, plot energji nervore për udhëtimin në vazhdim.”

Pas vetëm disa ditësh këtu, ai tashmë ka gjetur dikë që të organizojë kalimin e tij dhe pret thirrjen për t’u larguar.

“Moti nuk është i mirë.”– thotë ai. “Duhet të presim ndoshta edhe dy ditë të tjera”.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi, arritja në Francën veriore është e lehtë; ata kanë të drejtë të hyjnë në BE si turistë deri në tre muaj pa vizë.

Shumica mbërrijnë me autobus ose makinë, të nxitur nga reklamat në mediat sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais ose Dunkirk.

Duke u paraqitur si një emigrant shqiptar, gazetari i BBC-së thotë se ka kontaktuar me dy kontrabandistë që reklamonin klientët në platformën e videove në TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsione për të paguar në Francë ose në Angli, dhe udhëzime për të shkuar në Belgjikë ose Francë. Mesazhi i të dyve ishte: “Është e lehtë”.

“Të afrohen ndërmjetësit dhe t’i shkon me ofertën më të lirë.”– tha Eraldo Harkicaj, një gazetar shqiptar i cili është infiltruar si emigrant për kanalin televiziv shqiptar Piranja.

Ai tha se shumica e ndërmjetësve shqiptarë qëndronin larg kampit kryesor të emigrantëve në Dunkirk, ku kontrollin e kanë rrjetet kurde dhe të tjera.

“Kur ishim brenda kampit, kuptuam se shqiptarët nuk kishin asnjë pushtet të vërtetë. Gjithçka drejtohej nga kurdët.”- tha Eraldo. “I gjithë organizimi në kamp dhe transportimi i njerëzve drejt Anglisë është bërë nga kurdët”.

Një zyrtar i lartë francez, i fokusuar në këtë fushë, konfirmoi se shqiptarët aktualisht po luajnë rolin e ndërmjetësve, duke lidhur emigrantët shqiptarë me bandat e kontrabandës irakiane-kurde.

Duke folur jashtë rekordeve, ai tha se rrjetet kurdo-irakiane drejtojnë aktualisht 80% të operacioneve me varka të vogla, por se autoritetet franceze janë të shqetësuara për mundësinë që shtetasit shqiptarë të ngrenë operacionet e tyre të pavarura, me rrezikun e konfliktit të dhunshëm midis grupeve.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla këtë vit, pothuajse të gjithë të rinj që udhëtojnë vetëm.