Mjeku Ilir Alimehmeti i cili është një nga kandidatët për bashkinë e Tiranës në primaret që po zhvillohen nga Partia Demokratike, ka treguar për qytetarët disa gjëra që nuk duhet t’i presin nga ai, pasi nuk është i gatshëm t’i bëjë.
Në një postim në rrjetet sociale, Alimehmeti u thotë banorëve të Tiranës të mos presin puthje apo përqafime e fotografi nga ai.
“Mos prit që të të puth apo të të përqafoj teksa fotografohemi nga një fotograf profesionist,i pajtuar nga unë në kohë fushate. Jo, as nuk do të të puth dhe as nuk do të përfaqoj.
Do vij të takohem me ty dhe jo të fotografohem me ty.”- shkruan ai.
Po ashtu ai thekson se nuk do i përdorë fëmijët për fushatë.
“Mos prit që të takoj fëmijën tënd dhe ta marr në krahë dhe ta përdor për të ndërtuar sloganin -Do ta bëjmë për fëmijët tanë-.
Jo nuk dua të takoj fëmijën tënd.
Dua të takoj ty prind.”- shkruan Alimehmeti.
Kandidati për bashkinë ashtu ai u thotë qytetarëve mos të presin nga ai të organizojë takime me regji, ku njerëzit e lavdërojnë.
POSTIMI I PLOTË
Mos prit që unë…..
I gjendur zyrtarisht para një gare për primaret në Partinë Demokratike si kandidat i mundshëm i frontit opozitar në zgjedhjet lokale, jam përballur shpesh me pyetjen;
Çfarë pritet nga ti?!
Kam vendosur t’i përgjigjem të kundërtës së kësaj pyetjeje:
“Çfarë nuk pritet nga unë” dhe për ty banor i Tiranës kam këtë përgjigje;
Mos prit që unë të konsultohem me një këshilltar për ngjyrën e xhaketës sime apo të këpucëve të mia.
Besimi nuk fitohet me panair veshjesh, por me panair mendimesh.
Mos prit që të të puth apo të të përqafoj teksa fotografohemi nga një fotograf profesionist,i pajtuar nga unë në kohë fushate. Jo, as nuk do të të puth dhe as nuk do të përfaqoj.
Do vij të takohem me ty dhe jo të fotografohem me ty.
Do vij të flas me ty dhe jo të fotografohem me ty.
Biseda nuk është album fotografish, por album shqetësimesh që ti ke për qytetin.
Do të jem dëgjuesi yt dhe jo përqafuesi apo puthësi yt hipokrit.
Mos prit që të takoj fëmijën tënd dhe ta marr në krahë dhe ta përdor për të ndërtuar sloganin -Do ta bëjmë për fëmijët tanë-.
Jo nuk dua të takoj fëmijën tënd.
Dua të takoj ty prind.
Në radhë të parë Tirana duhet shëruar për prindërit e pastaj për fëmijët, pasi një prind i qetë mundëson një ambient të qetë familjar.
Një prind në ankth përcjell veç ankth.
Mos prit nga unë ” rastësi” të stisura me regji qëndrore ku njerëzit më thurin vargje dhe poezi.
Dëshiroj që njerëzit të më shohin si një individ që e do qytetin e tij dhe ka vullnetin dhe energjinë për të punuar për të.
Këto janë gjërat thelbësore të cilat nuk duhet t’i presësh nga unë.
Herën tjetër do të përgjigjem për gjërat që mund t’i presësh nga unë.
Sinqerisht yti
Ilir Alimehmeti