Në një konferencë për gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha foli për procesin e regjistrimit në zgjedhje.
I pyetur se çfarë do bëjë nëse KQZ nuk i regjistron në zgjedhje, Berisha tha se do t’i përgjigjen Ramës në mënyrën e merituar.
“Lidhur me pyetjen, PD gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe gjysmës së parë të këtij viti ka votuar më shumë. Ka bërë këtë sipas procedurës së kushtetutës së saj ligjore dhe ka bërë një proces me votë të lirë kombëtare. Këtë proces synon ta shkelmojë Edi Rama. Ka një vendim gjykate ku ai ka vendosur mbi këtë realitet për Kuvendin, logon dhe vendimet e PD.
Gjithçka është e ligjshme. E paligjshme është përpjekja e Edi Ramës për të konfiskuar flamurin e PD. PD ka të drejtë t’i përgjigjet atij në mënyrën e merituar. Nuk kemi problem me asnjë njeri tjetër por vetëm me Edi Ramën. Edi Rama kërkon me një akt prej burracaku me mendësinë e etërve të tij xhelatë të konfiskojë flamurin e forcës që solli pluralizmin në Shqipëri. Këtë problem e kemi me Edi Ramën.”– deklaroi Berisha.
Kryedemokrati u përgjigj edhe për shpenzimet mbi takimet me strukturat e Partisë Demokratike në rrethe. Ai tha se të gjitha ato janë bërë falas dhe kjo gjë solli sherr, por është e vërteta.
“E drejtë. Partia Demokratike në të gjitha takimet e saj përveç disa takimeve në hotele dhe një në një qytet të gjitha i ka pasur gratis. Dhe kjo solli një sherr të madh midis Edi Ramës dhe bashkiakëve dhe pati ndërhyrje edhe nga gurvenatorja si kjo mund të ndodhë. Bashkitë kanë një sallë që ia ofrojnë forcave politike për aktivitete. Kjo është e vërteta e shpenzimeve.”– tha Berisha.