Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, tha sot se Sali Berisha është aleati i Putinit në Shqipëri dhe se rublat ruse kanë financuar aleancën Meta-Berisha.
Ai e bëri deklaratë nga Roskoveci ku theksoi se qeveria do bëjë gjithçka për familjet shqiptare për t’u ardhur në ndihmë teksa në Ukrainë po zhvillohet një luftë që ka ndikuar mbarë botën.
Balla paralajmëroi gjithashtu se Berisha mund të shpallet non grata edhe nga vendet e BE-së.
“Qeveria do bëjë gjithçka për fermerët, për të gjetur tregje. Të mos harrojmë jemi në luftë, lufta është në Ukrainë me tanke, por në Shqipëri apo në vende të tjera të Europës ka prekur të ardhurat e çdo familjeje. Qeveria jonë po kujdeset për çdo familje, si për shembull energjia, që do e mbajmë me të njëjtin çmim si përpara luftës. Qeveria mbështet pensionistët, administratën. Për mua është e vonuar protesta e aleatit të Putin në Shqipëri, Sali Berishës, sepse rublat e Rusisë sponsorizojnë aleancën Berisha-Meta. Janë rublat ato që nxisin këtë lloj qasje, gjithë bota është në luftë me Putinin, ndërsa Saliu i del në krah. Protesta s’ka të bëjë me ekonominë e familjeve shqiptare, por me hallin personal të Sali Berishës, i shpallur non grata në SHBA dhe mos u habisni shumë shpejt mund të shpallet non grata dhe nga vendet e BE-së.” – tha Balla.