Bashkimi Evropian po përpiqet të përcaktojë nëse është e mundur të përdoren asetet e Bankës Qendrore Ruse që janë ngrirë nga vendet anëtare për të financuar Ukrainën, raportoi Bloomberg të enjten.
Diskutimet janë në një fazë të hershme dhe ekspertëve ligjorë u është kërkuar të shqyrtojnë mundësitë për këtë, shkroi media, duke cituar njerëz me njohuri me çështjen. Rreth 300 miliardë dollarë që i përkisnin Bankës Qendrore Ruse u ngrinë nga BE-ja, SHBA-ja e aleatët e tyre si pjesë e sanksioneve kundër Rusisë.
Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE-ja dëshironte të konfiskonte asetet ruse në mënyrë që t’i përdorte ato për rindërtimin e Ukrainës, por pranoi se krijimi i një baze ligjore për një veprim të tillë ishte i ndërlikuar. Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha në maj se konfiskimi i aseteve ‘nuk ishte diçka e lejueshme ligjërisht në Shtetet e Bashkuara’.
Rusia kritikoi ashpër ngrirjen e fondeve, me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov që akuzoi Perëndimin se po kryente një vjedhje të pastër.