Vendosni fjalën kyçe....

Britania ishte ‘pak orë’ larg nga goditja shkatërrimtare ekonomike – Guvernatori i Bankës së Anglisë


Britania shmangu një krizë financiare në shtator që mund të kishte parë kolapsin total të disa fondeve të pensioneve, tha Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, për Channel 4.

I pyetur se sa afër ishte Britania nga shkatërrimi ekonomik i mundshëm pasi u njoftua minibuxheti i Liz Truss, Bailey tha: “Unë mendoj se në momentin kur ndërhymë, mund t’ju them se mesazhet që merrnim nga tregjet ishin se kjo mund të ndodhte brenda pak orësh.”

I ashtuquajturi ‘minibuxheti’ i Truss përfshinte shkurtimet më të mëdha të taksave që nga viti 1972, të financuara nga një rritje e madhe e huamarrjes, pa një shpjegim se si qeveria do i kthente ato. Masat bënë që paundi britanik të arrinte nivelin më të ulët të të gjitha kohërave kundrejt dollarit dhe çmimi i obligacioneve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar – të njohura si gilts – të shembet.

Banka e Anglisë ndërhyri duke njoftuar një zgjerim të blerjes së obligacioneve emergjente për të ‘rivendosur kushtet e rregullta të tregut’.

“Po bëhej gjendje e paqëndrueshme dhe po prekte fondet e pensioneve, për shembull, dhe mënyrën se si ato funksiononin. Pra, ne duhej të ndërhynim shpejt dhe duhej të futeshim mjaft vendosmërisht. Kjo ndihej dhe ishte një kërcënim shumë i vërtetë për qëndrueshmërinë financiare.” – tha Bailey.

Intervista e tij erdhi vetëm disa orë pasi rregullatori rriti normën e interesit nga 2.25% në 3% në përpjekje për të frenuar inflacionin në rritje.

Bailey paralajmëroi gjithashtu se Britania po përballet me recesionin e saj më të gjatë që nga fillimi i mbajtjes së regjistrimeve dhe paralajmëroi për një ‘rrugë të vështirë përpara’ për Mbretërinë e Bashkuar dhe familjet e saj.