Vendosni fjalën kyçe....

Haradinaj akuza Kurtit: Ai e demagogët e tij dolën kundër SHBA-së për targat, po rrezikon vendin


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Kurti për sa i përket vendimit për rikthimin e reciprocitetit të targave me Serbinë, gjë që ka rikthyer tensionet në veri të vendit.

Në një shënim në Facebook, Haradinaj shkruan se Kurti duhet të ndjekë kërkesën e ambsadadorit amerikan Hovenier e Sekretarit Blinken për pezullimin e vendimit për targat deri në arritjen e marëveshjes përfundimtare.

Sipas tij, plotësimi i saj garanton sigurinë dhe rendin në veri të Kosovës.

Haradinaj e akuzon Kurti se bashkë me demagogët e tij nuk janë të interesuar për sigurinë e vendit e nuk ndjekin këshillat e aleatëve të SHBA-së, BE-së e NATO-s.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës, Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dijnë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponzorëve dhe satelitëve të saj. Por; Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale. Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri.

Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit. Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit.

Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale.” – shkruan Haradinaj.