Presidenti i SHBA-së Joe Biden kritikoi blerjen e Twitter-it nga miliarderi Elon Musk, duke thënë se platforma e mediave sociale ‘vjell gënjeshtra në gjithë botën’.
“Tani për çfarë shqetësohemi të gjithë ne? Elon Musk del dhe blen një organizatë që vjell gënjeshtra në të gjithë botën.” – tha Biden gjatë një mbledhjeje fondesh në Çikago të premten.
“Nuk ka më redaktorë në Amerikë. Si presim që fëmijët të jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë po rrezikojmë?” tha lideri amerikan.
Vërejtjet e Biden erdhën pasi Musk njoftoi pushimet nga puna në Twitter. Musk ka vepruar me shpejtësi që prej blerjes së Twitter-it me një çmim prej 44 miliardë dollarësh javën e kaluar, duke shkarkuar fillimisht drejtorin ekzekutiv Parag Agrawal dhe më pas edhe drejtorët e tjerë.
Njoftimet e pushimit nga puna nuk vijnë si befasi, pasi Musk njoftoi pas blerjes se ai planifikonte të pushonte deri në gjysmën e 7,500 punonjësve të kompanisë.
Musk tha të premten se Twitter ka parë një rënie të madhe të të ardhurave, duke akuzuar ‘grupet e aktivistëve’ për presion ndaj reklamuesve.
“Twitter ka pasur një rënie masive të të ardhurave, për shkak të presionit të grupeve aktiviste ndaj reklamuesve, edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar me moderimin e përmbajtjes dhe ne bëmë gjithçka që mundëm për të qetësuar aktivistët.” – shkroi Musk në llogarinë e tij personale.
Blerja e Twitter prej tij ka ndezur një stuhi debati në SHBA me mediat kryesore që kanë nisur një batare sulmesh ndaj Musk. Më herët, biznesmeni kishte kritikuar politikat e Twitter-it dhe akuzoi platformën se është e njëanshme e anon nga pikëpamjet teë majta.