Në konferencën e sotme për mediet, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u pyet nga gazetarët se cilin nga kandidatët sheh më të fortë përballë Erion Veliajt.
Ai u shpreh se të gjithë i sheh më të fortë se kryebashkiaku aktual dhe se secili që do zgjidhet do të ketë mbështetjen e PL-së.
“Secilin prej tyre e shoh më të fortë, secilin prej tyre. Pa staj ai që do të përzgjidhet nga ky proces, cilido që zgjidhet do gëzojë përkrahjen tonë të PL. Situata në Tiranë është katastrofike, mungesë transparence, llogaridhënie zero, përveç arrogancës, situata është pozitive për opozitën, të përqendrohen tek programi i tyre, për ti kthyer Tiranën qytetarëve dhe për të rivendosur llogaridhënien në kryeqytetin e Shqipërisë.”– tha Meta.
Ai u pyet gjithashtu se kur do ta zbulojë emrin e kandidatit që i ka propozuar Sali Berishës për kryetar të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
“Duhet të jeni të qetë, do të ketë shumë emra që do t’i rikthejnë llogaridhënien qytetit. Vetë qytetarët do të japin propozimet e tyre si Tirana të jetë qytet i dashur për banorët e saj.”– tha kreu i PL-së.