Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç dekoron policët që refuzuan të zbatonin vendimin për targat


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka nderuar me medalje dy zyrtarë të lartë të Policisë, që refuzuan hapur të zbatonin vendimin e qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës, RKS.

Siç shkruan REL, bëhet fjalë për ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq, të cilët të dy u nderuan me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliç”.

Ndërsa u dorëzonte medaljet në një ceremoni në Presidencën e Serbisë, Vuçiç i falenderoi Gjuriçin dhe Filipoviçin që sipas tij “dëgjuan shtetin e tyre”.

“Keni bërë atë që jua donte zemra dhe keni vepruar me nder kur ju kanë penguar të kryeni detyrën, sepse as atëherë nuk keni dashur t’i shkelni ligjet.”- tha Vuçiç.

Presidenti serb akuzoi autoritetet në Kosovë, se duke zbatuar vendimin për riregjistrimin e makinave, kanë dashur të shkaktojnë incidente dhe të “poshtërojnë popullin serb”.