Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet afatmesme në SHBA, çfarë dimë deri tani për rezultatet (Harta dhe grafikët)


Republikanët kanë bërë disa përparime në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa lufta për Senatin është kokë më kokë.

Çfarë dimë deri tani për rezultatet e zgjedhjeve afatmesme në SHBA.

Dhoma e Përfaqësuesve drejt republikanëve

Siç shkruan BBC, Dhoma e Përfaqësuesve po anon drejt republikanëve.

Sipas parashikimeve nga CBS News, partneri i BBC-së në SHBA, republikanët duhet të rrisin numrin e vendeve të tyre me pesë për të marrë kontrollin e tij. Nëse demokratët humbasin Dhomën e Përfaqësuesve, kjo do ta bëjë të vështirë për presidentin Joe Biden miratimin e ligjeve gjatë dy viteve të ardhshme të mandatit të tij.

Demokratët po përpiqen të mbajnë nën kontroll Senatin, dhomën e sipërme të Kongresit. Shumica e garave që do të vendosin për Senatin nuk janë shpallur ende.

Para zgjedhjeve të së martës, Senati ishte i ndarë 50-50, por demokratët kishin kontrollin përmes votës së nënpresidentes Kamala Harris.

Janë 35 nga 100 karrige për të cilat ende po luftohet. Demokratët kanë marrë Pensilvaninë, John Fetterman mundi kandidatin e mbështetur nga Trump, Mehmet Oz. Ata kanë fituar gjithashtu në Nju Hampshire.

Xhorxhia është një nga katër shtetet që mund të vendosë përfundimisht se cila parti kontrollon Senatin, së bashku me Wisconsin, Nevada dhe Arizona. Por me 96% të votave të numëruara, nuk është e mundur të parashikohet se kush do të fitojë, sepse duket se ka gjasa të fitohet vetëm me një diferencë shumë të vogël.

Deri më tani, asnjë nga kandidatët nuk duket se do të kalojë pragun prej 50% të nevojshëm në Xhorxhia për të shmangur zgjedhjet vendimtare ose balotazhin më 6 dhjetor, që do të thotë se rezultati mund të jetë i pavendosur për javë të tëra.

Gara për Senatin

Florida ka qenë në garë të ngushtë në të kaluarën, por republikanët i mbajtën vendet atje pa shumë problem. Ron De Santis fitoi – ai konsiderohet si një kandidat i mundshëm republikan presidencial në 2024. Kolegu i tij partiak Marco Rubio qëndroi në vendin e tij në Senat.

Republikanët gjithashtu dolën mirë në garat për Dhomën e Përfaqësuesve në Florida, duke kthyer rezultatin me tre vende, gjë që i ka vënë ata në rrugën e marrjes së kontrollit të përgjithshëm nga demokratët.

Sipas sondazheve, dy çështjet kryesore në mendjen e votuesve ishin rritja e çmimeve dhe aborti. Pothuajse një e treta e njerëzve të anketuar thanë se inflacioni ishte çështja që kishte më shumë rëndësi për të vendosur se si do të votonin.