Gjermania është në thelb antisemite dhe çdo hebre që është serioz në lidhje me fenë e tij duhet të largohet, tha udhëheqësi i një komuniteti hebre në Brandenburg në një letër të hapur të botuar të mërkurën, duke shtuar se ai po shkon në Izrael.
“Me politikat e tij të jashtme dhe të brendshme anti-hebraike, vendi ka dëshmuar se antisemitizmi është pjesë e pandashme e ideologjisë politike shtetërore.” – shkruante Semen Gorelik në misionin e tij, i cili u bë publik nga Die Achse des Guten (Aksi i së Mirës), një portal lajmesh pro-izraelit.
“Nuk mund të jetosh në këtë vend si hebre! Dhe nuk dua të jetoj më në këtë vend.”
Gorelik vuri në dukje se presidenti gjerman ka vendosur një kurorë në varrin e ‘vrasësit, terroristit dhe antisemitit’ Yasser Arafat, ndërsa kancelarja e tij ka sjellë si refugjatë ‘miliona muslimanë antisemitë që po sulmojnë hebrenjtë dhe institucionet hebreje’.
Gjermania gjithashtu nxit ‘bandat terroriste’ dhe ‘bashkëpunon me shtetet antisemite që duan të shkatërrojnë’ Izraelin dhe hebrenjtë, shkroi ai.
Sipas Gorelik, fëmijët gjermanë rriten për t’u bërë antisemitë me ndihmën e ‘propagandës shtetërore masive anti-hebreje dhe anti-izraelite’ të financuara nga taksat dhe tarifat e detyrueshme.
“Nuk dua të jetoj në një vend ku, si hebre, duhet të fshihem kudo dhe në çdo kohë. Unë nuk dua të jetoj në një vend ku një pjesë e popullsisë e sheh flamurin tonë izraelit si një provokim. Nuk dua të jetoj në një vend ku nuk mund të veshësh kipa në rrugë.” – shkroi Gorelik.
Një tjetër ankesë e tij e madhe është se Gjermania ka krijuar një ‘judaizëm zëvendësues me sinagoga të rreme shtetërore’ dhe nuk po lejon asnjë shoqatë të pavarur nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani i kontrolluar nga shteti.
Gorelik vuri në dukje përvojën e familjes së tij, e cila mbërriti në Gjermani në vitin 1996, si refugjatë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ata janë përpjekur të regjistrojnë një shoqatë në Potsdam që nga viti 1999, tha ai, por janë penguar nga gjykatat lokale, shtetërore dhe federale.
Gjermania, tha ai, është ‘një epiqendër e antisemitizmit’, ideologjia shtetërore e së cilës nuk ka ndryshuar që nga Martin Luteri dhe mesjeta. Është e kotë të përpiqesh të ndryshosh diçka në këtë listë ‘të pafund’, përfundoi ai.
“Unë po shkoj në Izrael dhe u rekomandoj të gjithëve që pretendojnë se ndjekin judaizmin të largohen nga ky vend sa më shpejt të jetë e mundur.”