Sekretari Organizativ në PD, Klevis Balliu tha se sulmi ndaj protestës së 12 nëntorit është provë e suksesit të saj dhe se madhështia e saj ka tronditur qeverinë e mbështetësit e saj.
Në një shënim në Facebook ai shkruan se sulmet tregojnë se ajo e përmbushi misionin e tregoi se qeveria sot është pakicë duke shtuar se nëse nesër zhvillohen zgjedhje, Edi Rama ikën nga pushteti.
“Sulmi ndaj protestës së 12 Nëntorit provë e suksesit të saj. Madhështia e protestës tronditi qeverinë dhe mbështetësit e saj. Në studiot dhe emisionet televizive, analistët e qeverisë u sulën si shtazë për të sulmuar protestën dhe të gjithë qytetarët që morën pjesë. Kjo jo vetëm që nuk mërzit qytetarët dhe opozitën, por përkundrazi mbushi zemrat e të gjithëve me shpresë. Nëse protesta do të ishte dështim askush nuk do ta vinte ujin në zjarr por do të shikonin punët e tyre. Por protesta dha mesazhin e qartë dhe më të frikshëm për qeverinë: sot jeni PAKICË, sot jeni MINORANCË. Në fakt nëse nesër ka zgjedhje Edi Rama ikën nga pushteti, madje as lojrat me votën se ndihmojnë dot, as bandat se ndihmojnë dot. Për këtë arsye qeveria turri analistët e saj me dy teza; nuk kishte qytetarë në protestë dhe teza tjetër më qesharake ishte që ishte protestë e organizuar nga Putini. Teza të tilla qesharake faktojnë mjerimin e qeverisë dhe analistëve të saj të blerë.” – tha Balliu.
Ai shtoi më tej është mision i opozitës që të mbajë gjallë frymën e protestës së 12 nëntorit me aksion politik që ruan e zhvillon të njëjtin standard.
Po kështu Balliu theksoi se qytetarët duan ndryshim duke i kërkuar qeverisë që të japë dorëheqjen e t’u hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
“Imagjinoni kur të akuzon për lidhje me Putinin krahu i djathtë i Putinit që është Aleksandër Vuçiç! Tani është detyrë e opozitës dhe e të gjithëve bashkë që fryma dhe fuqia e 12 Nëntorit të mbahet gjallë me një aksion politik që ruan, mbron dhe zhvillon të njëjtin standart të protestës. Qytetarët duan ndryshim dhe këtë duhet ta ofrojmë, qytetarët duan përballje dhe këtë duhet ta mundësojmë. Qeveria sot nuk ka as numrat, as moralin, as arsye për të qëndruar në pushtet. Ndaj sot qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe ti hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Sëbashku në këtë rrugëtim jo të lehtë, pasi në fund të fundit po përballemi me një regjim, fitorja është e pashmangshme, fitorja është më domethënëse. Durimi është një virtyt që duhet patur parasysh por durimi i tepërt kthehet në një armë për regjimin. Çdo gjë ka një limit ashtu edhe durimi ka një kufi. Dhe besoj që sot jemi në limitet e durimit dhe në fillimet e përballjes frontale. Vendi është nën një rrezik të madh dhe ne duhet ti dalim ZOT. Opozita ti dalë zot shqiptarëve, demokracisë, të ardhmes Europiane, ti dalë zot Shqipërisë.” – mbyll Balliu deklaratën.