Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka quajtur projektin e Portit të Durrësit një çmenduri rilindase.
Sipas Metës projekti nuk ka transparencë dhe shtetit do u mungojnë rreth 600 mln euro për shkak të kontratës.
Kreu i PL-së thekson se kjo ndërhyrje cenon të ardhurat në buxhet dhe prish tregun e ndërtimeve.
“Afera e Portit të Durrësit, është një çmenduri tjetër rilindase, që ka përcaktorë makuterinë, babëzinë, pastrimin e parave, mungesën e transparencës, dhe shkatërrimin e interesit publik.
Nga një vlerësim i planit të financimit të projektit, duket qartë se kemi të bëjmë me një skemë tipike pastrimi parash.
Vetëm me 6.8 % financim nga aksionerët dhe bankat, (të investimit 2 miliard euro), pra rreth 130 milion euro, realizohet një operacion qarkullimi prej 3.2 miliard Euro.
Nuk ka transparencë se cili është interesi publik i kësaj skeme pastrimi parash.
Me statusin e investitorit strategjik të skemës, nuk është e qartë nëse TVSh e munguar do të jetë 20% e 2 miliard, rreth 400 milion euro.
Pa përmendur 8% të infrastrukturës, 160 milion euro dhe 3% për të pastrehët 60 milion euro.
Pra, rreth 600 milion euro që nuk hyjnë në shtet.
Një ndërhyrje e tillë, cenon rëndë të ardhurat në buxhet dhe prish gjithë tregun e ndërtimit dhe kompanive të rregullta të ndërtimit.
Interesi këtu është krejtësisht privat, pasi projekti nuk është infrastrukturë strategjike.
Por “strategjike” për “Rilindjen” janë vetëm mega-skemat e vjedhjes dhe pastrimit të parave!”-shkruan Meta.