Vendosni fjalën kyçe....

Popullsia e botës kalon zyrtarisht 8 miliardët


Popullsia e botës kaloi zyrtarisht tetë miliardë të martën në mëngjes, thanë Kombet e Bashkuara, duke festuar momentin historik në faqen e saj të internetit.

Në një deklaratë në Ditën e Tetë Milairdëve, OKB-ja vlerësoi përmirësimet në shëndetin publik, të ushqyerit, higjienën personale dhe mjekësinë, faktorë sipas saj që çojnë në një ‘rritje të përshkallëzuar’ të jetëgjatësisë mesatare të njeriut, e cila pritet të arrijë në 77.2 vjet deri në vitin 2050.

Megjithatë, organizata vuri në dukje ritmin e ngadalësuar të rritjes, nivelet e pabarabarta të lindshmërisë në të gjithë planetin dhe popullsinë dukshëm më të vjetër në shumë vende.

“Ky moment historik është një rast për të festuar shumëllojshmërinë dhe përparimet duke marrë parasysh përgjegjësinë e përbashkët të njerëzimit për planetin.” – tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Sipas Raportit të Perspektivës së Popullsisë Botërore 2022, i publikuar në korrik, rritja e popullsisë globale është në nivelin më të ngadaltë që nga viti 1950, me normën që ra snën 1% në vitin 2020. Sipas parashikimeve të OKB-së, popullsia do të arrijë në 10.4 miliardë deri në vitin 2080 dhe do mbetet në të njëjtin nivel deri në vitin 2100.

Vetëm tetë vende – Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Republika e Bashkuar e Tanzanisë – pritet të përbëjnë më shumë se gjysmën e rritjes së parashikuar deri në vitet 2050.

Duke qenë se ato kombe janë ndër më të varfrat në botë, rritja e shpejtë e tyre e popullsisë do të thotë se çrrënjosja e varfërisë, luftimi i urisë dhe rritja e qasjes në shërbimet shëndetësore e arsim në ato vende do bëhen edhe më sfiduese, vuri në dukje OKB.

Vendet e zhvilluara me shkallë të ulët të lindshmërisë përballen me një problem tjetër, plakjen e popullsisë. Në vitet 2050, përqindja e njerëzve të moshës 65 vjeç e lart do rritet nga 10% në 16% në vitin 2050.

OKB-ja u bëri thirrje vendeve me popullsi më të vjetër që të përshtatin urgjentisht programet përkatëse publike, duke përfshirë krijimin e kujdesit shëndetësor universal dhe sistemeve të kujdesit afatgjatë.