Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Tiranës zbardh ekspertizën mjeko-ligjore, thotë se 32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës


Prokuroria e Tiranës ka zbardhur ekspertizën mjeko-ligjore të vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti, i cili ndërroi jetë natën e 19 tetorit pas shoqërimit nga policia.

Sipas saj, i riu ka ndërruar jetë si pasojë e mbidozimit me kokainë. I riu humbi jetën pasi u shoqërua nga policia në Komisariatin 3 në Tiranë.

Policia tha se i riu vdiq në Spitalin e Traumës ku ishte dërguar pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ndërsa spitali e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se ai kishte shkuar pa shenja jete atje.

Të nesërmen e ngjarjes, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e prokuroria thanë se pas ekspertizës mjeko-ligjore, Kurtit i ishte gjetur në stomak një qese e bardhë 5cm x 5 cm e çarë me gjurmë droge. Ndërkohë e ema e Kurtit, pas këqyrjes së trupit ka dëshmuar se djali i saj kishte shenja dhune në vende të ndryshme.

Shoku i tij, Zyhdi Spahiu, në dy dëshmi të dhëna për emisionin ‘Piranjat’ në Abc Neës ka pohuar se ka qenë i pranishëm kur 32-vjeçari Kurti është shoqëruar duke akuzuar efektivët se e kanë dhunuar barbarisht shokun e tij dhe se ai ka ndërruar jetë në komisariat. Po kështu para pak ditësh ai tha se policia e përndjek që prej dëshmisë së dhënë.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti.

Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:

Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.