Rritja e eksporteve është ngadalësuar ndjeshëm për të disatin muaj radhazi, teksa sektori po vuan pasojat e krizës globale dhe kostove të larta të energjisë si dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit nga dy sipërmarrje të mëdha, Kurum dhe Albchrome.
Në tetor eksportet u rritën me 12.5% me bazë vjetore, sipas INSTAT, eksportet u rritën me 16.3%, sipas INSTAT, që është zgjerimi më i ulët i këtij viti, në shtator shifra ishte 16.3% dhe në muajt e parë të vitit zgjerimi mujor ishte rreth 50%.
Peshën kryesore në rritjen e eksporteve në tetor vijuan ta mbanin tekstilet e këpucët, ndërsa për të dytin muaj tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve.
Janë ngadalësuar ndjeshëm dhe eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, një sektor i goditur nga rritja e kostove, sidomos të energjisë.
Tekstilet dhe këpucët janë ato që po mbajnë peshën kryesore në rritjen e eksporteve, të ndjekura nga makineritë dhe pjesët e këmbimit.
Sipas INSTAT, në Tetor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 miliardë lekë, duke u rritur me 12,5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 0,8%, në krahasim me Shtator 2022.
Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 404 miliardë lekë, duke u rritur me 35%, nga mbi 50% që ishte zgjerimi në muajt e parë të vitit.
Sipas INSTAT, në Tetor 2022, në rritjen e eksporteve prej 12,5%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +6,9 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,8 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +2,3 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,2 pikë përqindje.
Për 10 mujorin, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +9,3 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,6 pikë përqindje.
Fasoni përshpejtohet sërish
Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore.
Sipas INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 22% për 10 mujorin, duke përshpejtuar sërish ritmet (zgjerimi ishte 19.7% me bazë vjetore për 9 mujorin).
Edvin Premçe nga Shoqata e Eksportuesve pohon se ka rritje për shkak të shtimit të kërkesave nga partnerët. Por, ai shton se frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë një ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.
Materialet e ndërtimit dhe metale, bien pasi Kurum ndërpreu prodhimin nga energjia e shtrenjtë
Materialet ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për të dytin muaj radhazi, duke u tkurrur me 13.2% në tetor.
Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Kompania vijoi eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok, ndërsa efekti u ndie në shtator e tetor.
Për 10 mujorin, ky grup është rritur me 43%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë në pjesën e parë të vitit.
Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse
“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” ngadalësuan sërish ritmet e rritjes në tetor, duke u zgjeruar me 13.6%, nga mbi 50% në gusht. Për 10 mujorin shitjet u rritën me 53%, nga 58% për 9 mujorin,.
Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se rritja e eksporteve të tij ka ardhur si rrjedhojë e çmimit më të lartë, ndërsa në sasi pothuajse nuk kanë ndryshuar.
Një nga eksportuesit më të mëdhenj të mineraleve Albchrome pothuajse ka ndalur aktivitetin në shtator. Kompania zotëron 4 furra prodhimi në uzinat në Elbasan dhe Burrel ku vetëm njëra prej tyre vijon punën.
Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 14.7% për 10 mujorin, nga 20% në 5-mujor.
Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera. Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.
Makineritë e pajisjet në rritje të fortë
Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke qenë grupi i dytë me kontributin më të lartë në zgjerimin e eksporteve, pas tekstileve e këpucëve. Ky grup u rrit me 37% për 10 mujorin. Sektori është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet. Përfaqësues e kompanive pohojnë se ata po përfitojnë nga zhvendosja e tregjeve të prodhimit pas luftës në Ukrainë, që ka rritur kërkesën për fabrikat shqiptare.
Thellohet deficiti
Sipas INSTAT, deficiti tregtar i këtij muaji është 45 miliardë lekë, duke u rritur me 5,5%, krahasuar me Tetor 2021 dhe duke u ulur me 8,7%, në krahasim me Shtator 2022.
Për 10 mujorin, Deficiti tregtar arriti vlerën 374 miliardë lekë, duke u rritur me 12,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Rriten eksportet me Italinë, bien me Kosovën
Sipas INSTAT, Në muajin Tetor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2021 janë: Itali (20,3%), Gjermani (34,4%) dhe Maqedoni (3,5%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (13,8%) ,Spanja (13,4%) dhe Greqia (16,9%).
Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Itali (42,1%), Gjermani (74,4%) dhe Greqia (21,1%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (0,03%) dhe Spanja (15,1%).
Në muajin Tetor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Tetor 2021 janë: Turqia (24,7%), Kina (28,0%) dhe Spanja (53,5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1,4%), Greqia (4,2%) dhe Gjermania (3,7%).
Gjatë këtij dhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (9,0%), Turqia (39,9%) dhe Greqia (28,4%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (14,4 %), Rusia (15,2%) dhe Zvicra (27,2%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60,2%, të gjithë tregtisë. Në Tetor 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,6% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6%), Turqia (8,2%), Greqia (6,7%) dhe Kina (6,3%).
Shkëmbimet tregtare, për dhjetëmujorin 2022, me vendet e BE-së zënë 59,6% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Tetor 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,2% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,4%), Turqia (8,4%), Greqia (7,2%) dhe Gjermania (6,5%).
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al