Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Edi dhe Olsi Rama, bashkë me Vuçiçin marrin nga 300-400 milionë dollarë nga Porti i Durrësit


Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me akuzat për projektin e Portit të Durrësit.

Në seancën plenare në Kuvend, Berisha tha se në këtë ndërtim, është përfshirë një kompani e vëllezërve Karriç, që sipas tij janë të lidhur me qeverinë e Serbisë.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, vëllanë e tij Olsi Rama dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç se nga ky projekt do të përfitojnë nga 300-400 milionë euro.

“Çfarë po ndodh me portin e Durrësit? Me portin e Durrësit Edi Rama po merr së bashku me vëllezërit Karriç. Po ju mund të thoni se pse thoni, vëllezërit Karriç?

Sepse vëllezërit Karriç janë aksionerë kryesorë tek kompania që ndërtoi Waterfrontin në Beograd, është e njëjta kompani. Identike, e njëjta kompani.

Ti që thua gënjen, ti nuk ke fytyrë, ti gënjen dhe mbron hajdutët. Është e njëjta kompani dhe kjo kompani vjen e ndërton me vëllezërit Karriç dhe vëllezërit Rama. Olsin dhe Edin.

Merr 60 % të aksioneve që nuk i ka Alabari, dhe do të marrë dhuratë 200 hektarë. Po deri para 3 ditësh na thanë janë 80, dje zonja Balluku tha janë 200.

Me një aferë pra prej të paktën 4 miliardë dollarë truall. Në një aferë në të cilën, Rama, Olsi, Vuçiçi, Nebojsha dhe si quhet ai tjetri, marrin të paktën secili minimumi nga 300-400 milionë euro. Në një aferë në të cilën çdo shqiptar do paguajë të paktën 1000 dollarë për ndërtimin e portit të ri. Të paktën 1000 dollarë, i cili kushton 2 miliardë dollarë.

Në një aferë në të cilën i grabisni shqiptarëve, pasurinë më të madhe publike që kanë sot dhe kanë pasur ndonjëherë.

Çfarë keni ju me Europën mor? Ju veç me Europën, asnjëherë nuk keni pasur asgjë. Si ka mundësi, çfarë ju lidh ju me Europën.

Ju jeni që të gjithë për ekzil, por jo në Europë, por në mbretërinë e vjedhjes, mbretërinë e korrupsionit, të drogës dhe krimit.”- tha Berisha.