Vendosni fjalën kyçe....

Kim: SHBA po investojmë më shumë se kurrë në Shqipëri, të hiqet ndikimi kriminal dhe politik në ekonomi


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim në mbledhjen e Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se SHBA synonte të forconte bashkëpunimin me Shqipërinë në demokraci dhe gjithashtu në fushën e biznesit.

Ndërsa tha se bizneset amerikane po investonin më shumë se kurrë në vendin tonë, ambasadorja shtoi se ishte thelbësore heqja e ndikimit kriminal dhe politik në ekonomi, duke arsyetuar se kjo do të shërbente për krijimin e lidhjeve më të shumta të ekonomisë amerikane me atë shqiptare.

“Duam të forcojmë bashkëpunimin shqiptaro-amerikan në demokraci dhe veçanërisht në fushën e biznesit. Ne e dimë që për të krijuar më shumë lidhje mes ekonomisë së SHBA dhe Shqipërisë duhet të kemi një mjedis biznesi të hapur, transparent dhe konkurrues. Dua të veçoj disa nga arritjet tona. Bizneset amerikane po investojnë në Shqipëri më shumë se kurrë më parë.

Eksportet drejt shteteve të Bashkuara u rritën me 36%. Në partneritet me bizneset amerikane, Shqipëria po bëhet udhëheqëse për energjinë. Ju i dini projektet që janë duke u konsultuar, siç është Skavica dhe shpërndarja e gazit natyror të lëngshëm. Po vijmë në një kohë që është tejet e rëndësishme ndërsa përballemi me sfida të reja që janë edhe sfida të vjetra. Të gjithë i kemi parë lajmet që prej 24 shkurtit , kur Rusia pushtoi Ukrainën pa asnjë arsye. Ne kemi parë ndikimin që ka sjellë mbi ekonominë europiane dhe sektorin e energjisë që është shumë i varur nga gazi natyror. Projekti i gazit të lëngshëm natyror në Vlorë mund të sjellë rreth 5 miliardë metër kub gaz në vit. Reformat në Shqipëri po funksionojnë, Është thelbësore heqja e ndikimit kriminal apo politik në ekonomi”- u shpreh mes të tjerash ambasadorja Yuri Kim.