Vendosni fjalën kyçe....

Policia shton përforcimet në shtëpinë e kinezit të shumërkuar


Policia e Shtetit ka tentuar sot të hynte në banesën e shtetasit kinez Liangbin Chen, i cili kërkohet nga Kina për mashtrim kompjuterik dhe mbahet në ‘arrest shtëpie’. Por ky i fundit ka refuzuar të lejojë policët që t’i futen brenda në banesë.

Organet ligjzbatuese kanë patur informacione se ai ka vazhduar aktivitetin kriminal dhe nga pozita e arrestit shtëpiak.

Disa informacione të mbërritura më herët nga organet ligjzbatuese të huaja sugjeronin se shtetasi kinez vijonte aktivitetin dhe kur ishte i shtruar në spitalin e burgut. Autoritetet e huaja kanë interceptuar disa komunikime asokohe.

Liangbin Chen akuzohet si kreu i bandës e cila ka pasur selinë në qytetin Huzhou në Kinë dhe që ka kryer mashtrime në platformat online për ambiente me qira, shitje kompjuterësh dhe telefonash në Dubai, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dyshohet se Chen kishte fituar në Dubai dhe Emriatet e Bashkuara plot 145 milion dollarë. Chen ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Pekini/Kinë, pasi autoritetet gjyqësore kineze i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Kodit Penal kinez.

Ai u arrestua në korrik në Rinas pasi vinte nga Dubai me pasaportë kamboxhiane. Por pak kohë më parë Prokuroria e Apelit shkaktoi skandal kur kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpie.

Ndaj tij fillimisht Gjykata e Tiranës kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, por Chen kërkoi zbutjen e saj dhe largimin nga qelia, për shkak se pretendonte se ishte i sëmurë. Çështja shkoi në Apel dhe gjykata vendosi masën “Arrest shtëpie” për shtetasin kinez, me arsyetimin se i rrezikohej jeta në qelinë e burgut.