Twitter ka rikthyer llogarinë e Kanye ‘Ye’ West, duke rikthyer zërin e reperit në rrjetet sociale. Lajmi erdhi të dielën, pak pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump u hoq nga lista e zezë e platformës.
“Prova, prova. Duke parë nëse Twitteri im është i zhbllokuar.” – shkroi ai. Postimi me sa duket ishte i shikueshëm nga përdoruesit e tjerë të Twitter, duke tërhequr mbi 600,000 pëlqime në pesë orë dhe një ortek përgjigjesh.
Llogaria e Uest në Twitter ishte kufizuar që nga 9 tetori, duke e bllokuar atë nga postimi i mesazheve të reja, pasi disa komenteve që u cilësuan si antisemite nga drejtuesit e platformës.
West ka afro 32 milionë ndjekës në Twitter. Reperi dhe sipërmarrësi i modës është parë si një shenjë se si miliarderi Elon Musk do e shndërrojë platformën pas blerjes së kompanisë për 44 miliardë dollarë muajin e kaluar. Musk është zotuar se do e bëjë Twitter-in një bastion të fjalës së lirë, duke thënë se kjo është e ‘e rëndësishme për të ardhmen e qytetërimit’.
Musk riktheu llogarinë e Donald Trump në faqen e internetit të shtunën, 22 muaj pasi presidenti i atëhershëm u dëbua nga platformat e mediave sociale pas trazirave të Kongresit të SHBA. CEO i Tesla kishte kryer një sondazh në Twitter nëse Trump duhet të lejohej të kthehej.
Sondazhi tërhoqi më shumë se 15 milionë vota, 51.8% e të cilave favorizuan rikthimin. Megjithatë, Trump tha se ai nuk ‘sheh ndonjë arsye’ për t’u rikthyer në Twitter, pasi ka tashmë ndjekësit në platformën e tij, Truth Social.