Kosova ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të shtyrë me 48 orë fillimin e vënies së gjobave ndaj mjeteve që kanë në territorin e saj me targa të paligjshme të lëshuara nga Serbia e që mbajnë shkurtime të qyteteve të Kosovës.
Njoftimi është bërë nga kryeministri Kurti në Twitter ku shkruan se është i gatshëm të punojë me ambasadorin Hovenier për të gjetur një zgjidhje dy ditët e ardhshme.
“Unë e falënderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e përkushtimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje me 48 orë të fillimit të gjobitjes për targa ilegale ‘KM’ (dhe tjera). Jam i gëzuar të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme.” – ka shkruar Kurti në Twitter.
Ditën e djeshme kryeministri Kurti e presidenti serb Vuçiç u takuan në Bruksel lidhur me tensionet mes dy vendeve ditët e fundit për sa i përket vendimit të Kosovës për rikthimin e reciprocitetit të targave.
Pas përfundimit të takimit ku nuk u arrit asnjë marrëveshje, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell e zyrtarë të tjerë evropianë kritikuan delegacionin nga Kosova për mospranimin e propozimit për të dy palët, që Kosova të mos vendosë gjoba e Serbia të mos lëshojë targa ‘KM’ (Mitrovicë e Kosovës).
Ndërkohë kryeministri Kurti deklaroi se asnjë marrëveshje nuk ka vlerë nëse nuk futet në diskutim edhe çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes vendeve e arritja e zgjidhjes përfundimtare për njohje të ndërsjellë.