Vendosni fjalën kyçe....

Belgjika u jep zyrtarisht punonjësve mundësinë e punës 4-ditore në javë


Belgjika filloi të zbatojë një rregullore të re të hënën që u mundëson punonjësve të punojnë katër ditë në javë në vend të pesë ditëve të deritanishme.

Rregullorja u miratua pasi partitë që formojnë qeverinë e koalicionit arritën një marrëveshje për reformën e punës në qershor.

Sipas marrëveshjes, punonjësit do jenë në gjendje të kërkojnë nga punëdhënësi i tyre mundësinë për të punuar për katër ditë në javë. Nëse punonjësi dëshiron dhe bën një marrëveshje me punëdhënësin, ai do jetë në gjendje të plotësojë periudhën javore të punës 38-orëshe në katër ditë në vend të pesë ditëve.

Ata që mund të përfitojnë nga kjo mundësi do të mund të marrin tre ditë pushim gjatë fundjavës ose të përdorin lejen shtesë njëditore gjatë javës.

Sistemi mund të vazhdojë për gjashtë muaj me miratimin e punëdhënësit. Marrëveshja mund të rifillojë me marrëveshje të përbashkët në fund të gjashtë muajve të parë.

Punëdhënësit kanë të drejtë të kundërshtojnë një kërkesë të tillë, por ai duhet të bazohet në një arsye të justifikuar.

Disa organizata joqeveritare e kanë kritikuar praktikën, duke tërhequr vëmendjen për pengesat e përqendrimit të ngarkesës në katër ditë.

Me këtë lëvizje, Belgjika është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian dhe i treti në botë pas Islandës dhe Zelandës së Re që prezanton zyrtarisht një javë pune katërditore si një mundësi për punëtorët e saj.