I gjithë qyteti perëndimor i Ukrainës, Lviv, është pa energji pas sulmeve ruse.
Por sipas BBC-së, edhe vendi fqinj Moldavia raportoi gjithashtu ndërprerje “masive” të energjisë elektrike, megjithëse nuk është goditur drejtpërdrejt.
Kryetari i bashkisë së Lviv u bëri thirrje njerëzve të strehohen, ndërsa kreu i rajonit më të gjerë të Kievit tha se infrastruktura kritike dhe shtëpitë ishin sulmuar.
Rusia ka shtuar kohët e fundit sulmet e saj ndaj rrjeteve energjetike të Ukrainës.
Zëvendëskryeministri moldav Andrei Spinu njoftoi përmes një postimi në Tëitter se më shumë se gjysma e Moldavisë është pa energji elektrike.
“Errësirë masive në Moldavi pas sulmit të sotëm rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.”- tha ai.
Më herët, një alarm për sulm ajror u lëshua në të gjithë Ukrainën, i ndjekur nga raporte për shpërthime në një numër vendesh.
Kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovy, tha se fëmijët ishin dërguar në strehimore me mësuesit e tyre dhe u kërkoi prindërve që të mos i merrnin derisa të mbaronte alarmi.
Pak para raporteve të reja nga Kievi dhe Lviv, zyrtarët thanë se Ukraina jugore ishte nën sulm të ri.
Guvernatori i rajonit të Mykolaiv paralajmëroi për “shumë raketa” që vijnë nga jugu dhe lindja.
Në rajonin e afërt të Zaporizhzhia, një foshnjë e porsalindur thuhet se u vra kur një raketë goditi një njësi materniteti.
Rusia u fajësua për atë sulm, por ende nuk ka komentuar ndonjë nga sulmet e supozuara të së mërkurës. Ndërprerjet e planifikuara dhe të paplanifikuara të energjisë janë bërë të zakonshme në shumë pjesë të Ukrainës si rezultat i sulmeve të fundit.