Vendosni fjalën kyçe....

Unioni i Gjyqtarëve i kërkon prokurorisë dhe AMA-s të ndëshkojnë portalet linçuese


Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i ka kërkuar prokurorisë dhe Autoritetit të Medias Audovizive të marrin masa ndaj disa mediave online pasi sipas tyre po kërcënohen gjyqtarë.

Në deklaratën që i drejtohet KLGJ-së, AMA-s, SPAK-ut, Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga diskriminimi thuhet se disa media përmes artikujve “me përmbajtje fyese, denigruese dhe të pavërteta” po “cenojnë rëndë imazhin e qytetarëve”.

“Kështu, sjellim në vëmendje se, më datat 18.10.2022, 06.11.2022, 13.11.2022, 14.11.2022, 15.11.2022, 16.11.2022 artikuj të publikuar në faqet “prapaskena.com”, “demaskimi”, “in-front.org” etj apo te shkruar nga gazetar (individ) kanë sulmuar personalisht Zv./kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Zv/kryetaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, një Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, një Gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke aluduar për histori që as nuk i korrespondojnë realitetit, as sjellin ndonjë benefit për publikun. Gjuha e përdorur ka qenë një gjuhë fyese, intimiduese, kërcënuese, duke përbërë qartazi krim urrejtjeje, përveç shpifjes ndaj një gjyqtari,  si funksionar i sistemit të drejtësisë”­,-vë në dukje Unioni.

Unioni i Gjyqtarëve thekson se gjyqtarët po sulmohen për shkak të detyrës, duke synuar “intimidimin, kërcënimin dhe ndikimin e paligjshëm të tyre nëpërmjet përndjekjes mediatike”.

Unioni i Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë kërkon: “Reagimin e menjëhershëm të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për të ndërmarrë masa për identifikimin e zotëruesve të këtyre portaleve e çdo portali/ subjekti që do të veprojë në të njëjtën formë të kundërligjshme në të ardhmen dhe paraqitjen e kërkesës për mbylljen e tyre, për shkak të kryerjes së veprave penale të shpifjes, fyerjes së gjyqtarit, si dhe për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Fillimin e procedimit penal e kryerjen e hetimeve të menjëhershme për rastet e sipërcituara.

Veprimin automatik e të menjëhershëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, kundrejt çdo individi apo subjekti publikues, që me veprimet e tij ka shfaqur apo do të shfaqë në të ardhmen, gjuhë urrejtjeje duke kërcënuar kështu mediatikisht gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë.

Reagimin e menjëhershëm të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për konstatim të diskriminimit mediatik, nëpërmjet përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe përndjekjes mediatike, për shkak profesioni dhe/ ose përkatësie gjinore”.