Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka denoncuar ministren e Kulturës Margariti për një urdhër të nxjerrë prej saj sipas të cilit, artistët e TOB-it e Ansamblit Popullor, duhet të lajmërojnë drejtuesin e zyrës përkatëse të institucionit para se të dalin në media.
Në dokumentin e publikuar nga deputetja në Facebook, thuhet se në rast të shkeljes së urdhrit, punonjësit në fjalë do ndëshkohet sipas rregullores së TKOBAP-së. Zhupa shkruan se një urdhër i tillë kujton metodat komuniste e nenin 55 për agjitacion e propagandë.
“Mbyllja e gojës artistëve sipas metodave komuniste të nenit 55 për agjitacion propagandë është skandali i rradhës i ministrisë së kulturës. Shkelje flagrante e kushtetutës dhe e kodit të punës.
Një urdhër antiligjor dhe antikushtetues detyron artistët e operas dhe baletit e ansamblit popullor të marrin leje për të dhënë mendimet e tyre dhe për tu shprehur lirisht. Liria e shprehjes është e garantuar me kushtetutë (neni 22) dhe ska urdhër nga lart që mund të zhduki të drejtat e fituara edhe me gjak. Të jesh artist mbi të gjitha je njeri i lirë, i pavarur! Këto shkresa bajate janë shprehje e frikës se keqmenaxhimi dhe aferat mund të diskutohen lirisht në portale, media e mediume të tjera.” – shkruan Zhupa.