Kreu i PD-së Berisha tha sot se kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në Kuvend në votimin e marrëveshjes së Portit të Durrësit për të mbrojtur veten.
Në një deklaratë për mediat kryedemokrati tha se marëveshja është në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Ai shtoi se kreu i qeverisë nuk do i shpëtojë dot përgjegjësisë ligjore, kudo që të shkojë.
“Lëvizjet e Ramës janë krejtësisht për t’u fshehur, për të mbrojtur veten e tij dhe për të thënë nesër që ‘unë nuk e kam firmosur’. Por ka një gjë, ai ka firmosur marrëveshjen kuadër. Marrëveshja kuadër që deklaroi se ‘kam negociuar kushedi sa herë, jam marrë shumë me Emiratet’, është në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe MSA-së. Rama i thotë enturazhit të tij që kompania është e Princit. Rama e di çfarë e pret për inceneratorët. Aty ka firmën, te kontrata dhe te bonusi. Aty nuk ka gjë në botë që e shpëton. Edhe këtu te Porti nuk ka gjë që e shpëton. Rama nuk mundet kurrsesi të shpëtojë. E ka të sigurtë përgjegjësinë ligjore kudo që të shkojë.” – tha Berisha.