Dy persona humbën jetën pasi një shi jashtëzakonisht i dendur shkaktoi përmbytje të mëdha në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite të enjten, thanë autoritetet lokale.
Numri i të vdekurve u njoftua në Twitter nga zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes saudite, i cili i kërkoi publikut të qëndronte brenda.
Qendra Kombëtare për Meteorologjinë (NCM) tha se sasia e reshjeve arriti në 179 mm në gjashtë orë, duke mposhtur rekordin e mëparshëm për zonën, e vendosur në vitin 2009, kur përmbytjet shkatërruese çuan në vdekjen e më shumë se 100 njerëzve, me 350 të tjerë të zhdukur.
Videot nga Jeddah tregojnë makina gjysmë të zhytura në ujë, duke u rrëmbyer nga përrenj të fortë. Disa njerëz u shpëtuan nga automjetet e tyre, sipas mediave lokale.
Jeddah, e cila ndodhet në bregun e Detit të Kuq dhe ka një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh, shpesh quhet ‘porta e Mekës’, qyteti më i shenjtë i Islamit. Shiu bëri që trafiku në rrugën ndërmjet Mekës dhe Xhedës të pezullohej për orë të tëra.
Aeroporti i qytetit tha gjithashtu se ‘për shkak të kushteve të motit, nisja e disa fluturimeve është vonuar’.
Shkollat në Jeddah u mbyllën ‘për të ruajtur sigurinë’ e nxënësve, njoftoi agjencia shtetërore e shtypit.