Ish-kirurgu i përgjithshëm Jerome Adams tha se ai kishte hasur në vështirësi për të gjetur një punë, pas qëndrimit të tij katërvjeçar në detyrë si doktori kryesor i Amerikës nën Presidencën e Donald Trumpit.
“Njerëzit ende kanë frikë të prekin çdo gjë që lidhet me Trumpin.”- tha Adams për Washington Post në një intervistë të botuar të premten.
Ndërsa ai kërkonte pozicione në Akademi, Jerome Adams dhe gruaja e tij Lacey, treguan se kishin marrë refuzime të sjellshme nga zyrtarë të universitetit, të cilët ishin të shqetësuar se si do të pritej nga studentët me prirje të majtë një ish-zyrtar i administratës Trump në kampus.
Adams e quajti ish-presidentin Trump “një forcë që me të vërtetë e nxjerr ajrin nga dhoma”.
“Hangoveri i Trump ende po më ndikon në mënyra të rëndësishme.”– shtoi ai, sipas NYP.
Adams u ankua gjithashtu për shpalljen e kandidaturës së Trumpit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke thënë se kandidimi i tretë i ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë “do t’i bëjë gjërat më të vështira për mua”.
Në intervistë, Lacey tregon se ajo e “urrente Trumpin” dhe nuk donte që burri i saj të punonte në administratë. Lacey tha gjithashtu se ajo ishte tashmë e shqetësuar për “stigmën” që do të krijonte puna e re e burrit të saj.
“Ishte shumë më e vështirë nga sa mendonte të gjente një vend për shkak të efektit Trump.”- tha Lacey në intervistë.
Adams ishte i papunë nga janari 2021 deri në shtator të atij viti kur Presidenti i Universitetit Purdue, Mitch Daniels, një ish-guvernator republikan i Indianës, e punësoi atë për t’u bërë drejtor ekzekutiv i iniciativave të barazisë shëndetësore në universitet.
Adams, megjithatë, sqaroi gjithashtu për gazetën se ai “nuk ankohej” për vështirësitë e tij të punësimit, duke shtuar se “është konteksti“.