Banorët e Laprakës kanë zhvilluar pasditen e sotme protestë kundër shembjes së banesave që preken nga projekti i Unazës së Madhe.
Ata kundërshtojnë firmosjen e një kontrate që u ka ofruar bashkia, duke theksuar se ajo është në dëm të tyre ndërsa trajtimine ofruar nga bashkia e konsiderojnë diskriminues.
“Këtu thuhet se çdo person do ketë në dispozicion vetëm 10 metra katrorë, sa një qen. Nëse një familje ka 10 persona, do marrë 100 metra katrorë. Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet, brenda 30 ditëve duhet të hiqni plaçkat nga shpia dhe të bëheni gati për t’ua shembur. Ti as nuk mund ta shesësh, as nuk mund ta trashëgosh, as nuk mund ta lësh kolateral në bankë për të marrë një kredi, për të hap një biznes ose për të blerë një shtëpi tjetër. Pra është pronë e bashkisë. Është pika ‘a’ e pikës 2. Ti e nënshkruan me dorën tate që heq dora nga prona jote, bashkia do të japë një trajtim special dhe ti nuk të drejtë pronësie mbi atë që merr. Dhe këto banesat sociale nuk të thonë as ku do i marrësh, as kur do i marrësh, as si do trajtohesh, ndërkohë merr nje bonus qiraje që shkon maksimumi 210 mijë lekë.” – tha gazetari Bled Marku, një nga protestuesit.
Ndërsa një tjetër banor i kërkoi bashkisë e qeverisë që të bëjnë marrëveshje të rregullt me ta.
“Ose të na dëmshpërblejnë ose të na japing aq metra katror sa kam diku tjetë. Të më përcaktojë vendin ku dhe kur do i marr.” – thotë një tjetër banor.
Ata kanë paralajmëruar ashpërsim të protestave ndërsa kanë deklarur se më 5 dhjetor do i drejtohen me kërkesat e tyre ambasadës së BE-së.