Një postkomandë ushtarake amerikane në Siri është goditur me raketa, sipas Komandës Qendrore të SHBA, e cila dënoi sulmuesit ende të paidentifikuar për minimin e ‘stabilitetit të fituar me vështirësi’ të rajonit në mes të dhunës në rritje midis Turqisë dhe fraksioneve lokale kurde.
Të paktën dy predha shënjestruan një ‘bazë patrullimi’ amerikane pranë qytetit al-Shaddadi në Sirinë verilindore të premten vonë mbrëma, tha CENTCOM në një deklaratë të shkurtër, duke mos ofruar hollësi se kush mund të ketë kryer sulmin.
Ndërsa ushtria amerikane qëndroi e heshtur për llojin e raketave të përdorura në sulm, ajo vuri në dukje se një ‘raketë e tretë e pashpërthyer’ u zbulua më vonë nga forcat kurde në ‘vendin e origjinës’ duke treguar se nuk ishte një sulm ndërkufitar dhe predhat janë hedhur nga një vend relativisht i afërt.
“Sulmi nuk çoi në lëndime apo dëmtime në bazën apo pronën e koalicionit”, tha ushtria. Zëdhënësi i CENTCOM-it Joe Buccino shtoi se sulmet e këtij lloji ‘vendosin forcat e koalicionit dhe popullsinë civile në rrezik dhe minojnë stabilitetin dhe sigurinë e fituar me vështirësi në Siri e rajon’.
Sulmi me raketë vjen vetëm disa ditë pasi Pentagoni shprehu ‘shqetësim të thellë’ për veprimet e vazhdueshme ushtarake të Ankarasë, duke pretenduar se sulmet e Turqisë ‘kërcënuan drejtpërdrejt’ personelin amerikan të vendosur në një bazë tjetër në Siri.
Duke folur më herët të premten, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se vendi i tij do vazhdojë operacionet e tij ‘pa marrë parasysh se me kë bashkëpunojnë terroristët’.
Shefi i mbrojtjes së Ankarasë, Hulusi Akar, iu përgjigj gjithashtu paralajmërimit të SHBA, duke këmbëngulur se ‘nuk bëhet fjalë që ne të dëmtojmë forcat e koalicionit apo civilët’ dhe se misioni i vetëm i Turqisë është të ndjekë grupet terroriste.
Turqia nisi operacionin ushtarak në Irak e Siri javën e kaluar, duke kryer sulme ajrore dhe artilerie ndaj grupeve kurde që i konsideron si celula terroriste, në shenjë hakmarrjeje për një sulm terrorist me bombë në Stamboll më 13 nëntorit në Stamboll, i cili la gjashtë persona të vdekur.
Uashingtoni ka bashkëpunuar prej kohësh me luftëtarët kurdë në zonën që është nën mbrojtjejn e milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) dhe mban rreth 900 ushtarë në verilindje të Sirisë, pavarësisht kundërshtimeve prej vitesh nga qeveria në Damask.